Drejtues të Sindikatave të Shëndetësisë, Policisë dhe Arsimit janë takuar me kryetarin e Vetëvendosjes, njëherësh pretendentin për kryeministër Albin Kurti, me ç’rast paralajmëruan se do të mbajnë greva dhe protesta në rast të pezullimit të Ligjit për Paga.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla pas takimit me Kurtin, tha se gjendja në këta sektorë publikë pas dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Paga është alarmante dhe në prag të shpërthimit.

“Jemi në një situatë shumë të pafavorshme, sepse në njërën anë nuk e kemi të formuar qeverinë të dalë pas zgjedhjeve dhe në anën tjetër nuk kemi asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pra siç po e shihni këta dy faktorë e hendikepojnë veprimet e ardhshme tonat… Ne jemi duke mbajtur këshillat drejtues se a do të mbahet greva këto ditë, apo ditëve në vazhdim varet prej Këshillit Drejtues. Mirëpo sipas të gjithave gjasave nëse vazhdohet me këtë neglizhencë të disa subjekteve dhe disa faktorëve relevant ne do të kërkojmë bojkotin apo grevën”, tha ai.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të mos pezullojë Ligjin për Paga, por të përmirësojnë lëshimet eventuale.

“Uroj që Kushtetuesja të ketë vëmendje të mos pezullojë ligjin, sepse shumë më lehtë është të përmirësohen lëshimet eventuale, sesa të goditen mbi 60 mijë të punësuar. Të cilët janë të zhgënjyer nëse ndodh kjo. Ata kanë pritur me meritë pas shumë angazhimeve që të gëzojnë Ligjin e ri me pagën e dhjetorit…Nuk mund të përjashtojë mundësinë e grevave, kjo varet nga zëri i punëtorëve të arsimi”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli tha se hapat më radikalë të tyre do të jenë protestat.

“Kërkesat tona janë që pagat, të cilat janë aprovuar me ligj, të jenë në fuqi nga sot e tutje. Nëse nuk dalin ato rroga që janë premtuar dhe nënshkruar nga qeveria dhe parlamenti, ne do të marrim hapa sindikalë”, tha ai

Ndërsa nga partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte deklarata mbi këtë takim.

Në shkurt të këtij viti Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Paga, teksa këtë muaj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit pas ankesave të disa sindikatave./E.Zeqiri.Kosovapress

Top Channel