Leyla Moses-Ones nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe Luigi Soreca nga Zyra e BE-së, janë takuar sot me Olsian Çelën, Prokurorin e ri të Përgjithshëm të Shqipërisë.

Në takim, përfaqësuesit e Uashingtonit dhe Brukselit kanë bërë të ditur edhe pritshmëritë që kanë ndaj kryeprokurorit Çela dhe prioriteteve të punës së tij.

SHBA pret nga Prokurori i Përgjithshëm një fokus më të madh në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit.

“E Ngarkuara me Punë përsëriti sërish mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që institucionet e prokurorisë luajnë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.

BE zgjerohet më shumë në pritshmëritë ndaj punës së Çelës, duke kërkuar hetime proaktive financiare, si dhe reagimin e Prokurorisë pas problematikave që u shfaqen me tërmetin e 26 nëntorit, çka shkaktoi edhe humbje jete.

Faza përfundimtare e krijimit të Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) ishte gjithashtu në fokus të takimit.

“Së bashku me Leyla Ones takuam Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur, Olsian Çela. Ne diskutuam prioritetet kryesore të zyrës së tij të re, përfshirë rolin e rëndësishëm të hetimeve proaktive financiare, veprimin e zyrave të prokurorisë pas tërmetit, si dhe fazën kalimtare drejt krijimit të SPAK. Zgjedhja e Z. Çela është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është prioritet kryesor për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, thuhet në reagimin e ambasadorit Soreca.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel