Pas vetëm 24 orësh nga ndeshja e fundit e Karlo Ançelotit në pankinën e Napolit, erdhi dhe prezantimi i trajnerit të ri të skuadrës jugore. Xhenaro Gatuzo tregoi në krah të presidentit De Laurentis, se si pranoi ofertën për një klub prestigjioz që lufton për Champions, dhe recetën e tij për ekipin të ndarë tashmë mes klaneve.

“Ishte e lehtë të pranoja Napolin, një shoqëri e madhe dhe skuadër shumë e fortë. Në 99% të mundësive jemi funksional për futbollin që dua të transmetoj. Telefonova Ancelotin pasi e di që nuk ishin ditë të lehta dhe kisha detyrimin të sqarohesha me të. Ai është një baba për mua në aspektin futbollisti. Do të kënaqesha nëse arrij 10% të asaj çka ka bërë Ançeloti në karrierë”, tha ai.

Sipas trajnerit të Napolit, ekipi do të mbetet në vitrinën e futbollit kontinental.

“Kjo skuadër nuk mund të qëndrojë jashtë Europës dhe synimi ynë është Champions. Kemi edhe dy ndeshje para pushimeve dhe do rikuperojmë terren në serinë A”, tha Gatuzo.

Sipas trajnerit të ri, Napoli është në një pozicion të sikletshëm dhe do të rikthehet mes 4 më të mirave, objektiv që i garanton Gatuzos edhe rinovimin për dy vjet.

Top Channel