LHK “Ali Hadri” kërkon konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës

11/12/2019 18:12

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, u ka bërë sot thirrje partive politike që kanë fituar ulëset në Kuvendi, respektivisht fitueseve të zgjedhjeve, që të themelojnë institucionet e reja të vendit, pasi vakumi institucional i krijuar në vend po dëmton qytetarët dhe integrimet euroatlantike.

Në një deklaratë për media thuhet se partitë politike në vend e kanë për obligim që të tejkalojnë dallimet politike dhe të afrohen në programe dhe Kosovës t’i jepen institucionet deri në përfundim të këtij viti.

“Institucionet dhe drejtuesit e tyre që do të dalin nga koalicioni qeverisës, duhet të jenë kredibilë dhe njerëz me përvoja qeverisëse dhe institucionale. Kosova duhet të vazhdojë rrugën drejt integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit rajonal dhe në këtë rrugëtim Kosova dhe udhëheqësit e rinj të vendit tonë duhet t’i kushtëzojnë bisedimet me Serbinë. Gjuha e urrejtjes dhe antishqiptare e shtetit serb është e papranueshme”, thekson Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti të para që dolën në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, ende nuk kanë finalizuar marrëveshjen rreth koalicionit të ardhshëm qeveritar, për shkak të ndasive rreth disa posteve ministrore dhe atij të presidentit, përderisa seanca konstituive e legjislaturës së shtatë të Kuvendit është caktuar për datën 24 dhjetor nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Top Channel