Paralizohet Franca/ Grevë e përgjithshme në vend

10/12/2019 05:28

Sistemi i transportit në Francë është pezulluar edhe të hënën si pasojë e një greve të përgjithshme kundër reformës së propozuar të pensioneve të presidentit Emanuel Macron.

Operatorët e hekurudhave paralajmëruan se trafiku do të prekej rëndë dhe vetëm një e pesta e trenave të shpejtë dhe një e pesta e shërbimeve kombëtare do të ishin funksionale. Sindikata i kërkoi udhëtarëve të evitonin mbledhjen në stacione dhe të përdorin mjete alternative transporti.

Transporti publik në Paris po ashtu u ndërpre me nëntë nga linjat e metrosë së qytetit të mbyllura dhe pesë prej tyre funksionale vetëm gjatë orëve të pikut.

Protesta masive nisi të enjten, më 5 dhjetor, me 800 mijë njerëz që u tubuan në të gjithë vendin sipas qeverisë, duke bllokuar udhëtarët dhe duke detyruar mbylljen e shkollave. Organizatorët thonë se ishin më shumë se 1.5 milionë protestuesit dhe kanë bërë apel për një ditë të dytë aksioni kombëtar të martën.

Ata protestojnë kundër planeve të qeverisë së Macron për të ndryshuar sistemin e pensioneve duke mbledhur 42 plane të ndryshme që ekzistojnë aktualisht në një skemë universale. Kjo do të çonte në reduktime pagesash sipas sindikatave dhe në shtimin e moshës së daljes në pension.

Top Channel