Me rinisjen e procesit mësimor ditën e djeshme, ekipet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), drejtoritë rajonale arsimore, si dhe drejtuesit e shkollave dhe zyrave vendore arsimore kanë treguar angazhimin e tyre maksimal për normalizimin e procesit mësimor për nxënësit e shkollave të dëmtuara, të cilët u zhvendosën drejt shkollave më të afërta pritëse.

Janë rreth 30 shkolla që nuk janë hapur dje për shkak të dëmtimit të pësuar nga tërmeti, teksa për secilën shkollë janë marrë të gjitha masat e nevojshme në kohë rekord për dërgimin e nxënësve tek shkollat pritëse.

Masat janë marrë nëpërmjet drejtuesve të shkollave dhe mësuesve që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me prindërit e nxënësve. Është treguar kujdes që secili prind të jetë i mirë-informuar se ku do të jetë shkolla pritëse dhe pika e caktuar për transportin i cili është falas për nxënësit dhe mbulohet nga buxheti i shtetit.

Më së shumti, transporti është parë i nevojshëm në zonat rurale. Ndërsa në zonat urbane, ku distancat kanë qenë më të afërta, nuk ka lindur nevoja për transport.
Në kuadër të këtij plani zhvendosjeje janë afro 15 mijë nxënës të transferuar në shkollat pritëse, ndërsa buxheti për këtë operacion varion mes 15-17 milion Lekë.

Top Channel