Korrupsioni në nivel të lartë po pamundëson ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, thonë përfaqësues të bizneseve dhe investitorëve evropianë në Kosovë.

Një studim i bërë nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, tregon se nga 256 biznese të anketuara, 26 për qind kanë dëshmuar se janë përballur me korrupsionin.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa biznese në Kosovë për t’i pyetur se me çfarë forma të korrupsionit janë përballur, por ato nuk kanë dashur të falsin.

Megjithatë, në studimin e Odës Ekonomike Amerikane thuhet se bizneset përfshihen në korrupsion për të shmangur ndonjë ndëshkim si dhe për të pasur një trajtim të favorshëm në një procedurë të hapur ose konkurruese.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se rënia e investimeve të huaja ndër vite në Kosovë tregon se investitorët e huaj nuk po e shohin Kosovën vend ku do të mund të shtrinin kapitalin e tyre.

“Asnjë vendim nga ana e investitorëve seriozë nuk do të merret në një shtet i cili në qoftë se ka prani të lartë të korrupsionit të perceptuar, qoftë nivel të lartë të korrupsionit real”, tha Zeka.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja ndër vite kanë shënuar rënie. Në vitin 2018, vlera e investimeve të huaja ka qenë 213 milionë euro, kurse në vitin 2017, vlera e tyre ishte në 287 milionë euro.Shuma më e lartë e investimeve të huaja në Kosovë ka qenë 440 milionë euro në vitin 2007, ndërkaq më e ulëta, në vitin 2014 me vetëm 151 milionë euro.

Emrush Ujkani drejtor ekzekutiv i Këshillit të investitorëve evropianë, thotë se niveli i lartë i korrupsionit ka shkaktuar dëme të mëdha dhe shumë herë të papërmirësueshme, pasi që ka pasur investitorë që kanë ikur nga Kosova.

Kjo gjendje, sipas tij, ka penguar edhe ardhjen e investitorëve potencialë.

“Është për të ardhur keq. Në gjendjen në të cilën është Kosova, kur ka nevojë për zhvillim ekonomik, ka nevojë për prezencë të investitorëve të huaj, të dalin barriera të tilla është e pakuptimtë dhe nuk ka asnjë justifikim sepse këto barriera jo vetëm që e detyrojnë një investitor të ikë nga vendi, por ka edhe efekte të tjera, siç është largimi i punëtorëve nga puna”, thotë ai.Radioeuropaelire

Top Channel