Barcelona nuk i fal Interit, zikaltërit e Contes jashtë “Champions League”

10/12/2019 22:58

Ka përfunduar me rezultatin 1-2 ndeshja në “San Siro”, midis Interit dhe Barcelonës, me zikaltërit që e shohin veten jashtë Champions League.

Interi e nisi shumë mirë sfidën duke realizuar shumë raste, por që nuk u finalizuan me gol. I pari ishte Lukalu i cili pasi bëri një finte të bukur ndaj Umtiti, doli i vetëm përpara portierit Neto, por goditja e tij u shmang nga një rrëshqitje e mbrojtësit francez Linglet, i cili e dërgon topin në goditje këndi. Më pas ishte radha e Biraghit, të cilit ja mohon golin portieri Neto pas një gjuajtje të bukur nga jashtë 20 metërshit.

Në momentin më të mirë të zikaltërve, shënon Barcelona. Pas një aksioni shumë të bukur nga “Blaugranat”, dhe një gabimi në mbrojtjen e Interit vjen goli i Barcelonës me anë të Carles Perez në minutën e 23-të. Ku pas një topi të dhuruar nga Vidal, i vetëm me portierin nuk e kishte të vështirë për ta dërguar topin në rrjetë.

Pas golit të shënuar ekipi i drejtuar nga trajneri Conte provoi në të gjitha mënyrat për të barazuar. Kur po mendohej që në dhomat e zhveshjes do të shkohej me një favor minimal në favor të katalanasve, vjen reagimi i zikaltërve.

Pas një topi të dhuruar nga Lautaro Martinez, shoku i tij i repartit Romelo Lukaku vendosi në përdorim të gjithë potencialin e tij dhe me një goditje mjaft të fuqishme arrin të shënoj një gol mjaft të bukur.

Ndonëse pjesa e parë dhuroi shumë emocion, raste dhe gola, pjesa e dytë nuk do të ishte e tillë për tifozët e Interit.

Në minutën e 86, ishte Fati i Barcelonës që shënoi golin e dytë për miqtë, çka mbylli edhe ëndrrën evropiane të skuadrës së drejtuar nga Antonio Conte.

Top Channel