Një raport i hartuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se perceptimi i bizneseve për nivelin e korrupsionit në vend është përkeqësuar në krahasim me një vit me parë dhe të anketuarit radhisin sundimin e dobët të ligjit dhe mungesën e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin si faktorët kryesorë për gjendjen në vend.

Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë publikimit të studimit me titull “Perceptimi i korrupsionit sipas bizneseve”, që përfshinë anketat me 256 biznese nga sektorë të ndryshëm.

Hajra sqaron se studimi ka nxjerrë në pah se 42 për qind e të anketuarve besojnë se korrupsioni është rritur, megjithatë ai mbetet një fenomen i paraportuar. Mbi 83 përqind e të anketuarve ndërkohë thonë se korrupsioni po i pengon ata në investime direkte.

“Të gjitha bizneset që kanë hasur në korrupsion, vetëm 22 përqind prej tyre e kanë raportuar atë. 40 përqind të bizneseve që e kanë raportuar korrupsionin e kanë bërë atë në institucionin ku ka ndodhur korrupsioni, 46 përqind në Polici apo Prokurori, shtatë për qind në Agjencionin Kundër Korrupsionit dhe shtatë për qind në media”, shprehet Hajra.

Për drejtorin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, rezultatet e këtij studimi duhet të shihen me shqetësim dhe në Kosovë, shkalla reale e korrupsionit, është e lartë.

“Ajo çfarë mbetet shqetësuese edhe nëse e krahasojmë me studimin e vitit të kaluar edhe këtë vit, është që ekziston një prani e madhe e korrupsionit real, nuk po flasim vetëm për përceptimin megjithëse duhet potencuar që boshllëku ndërmjet korrupsionit të përceptuar edhe korrupsionit real, megjithatë është i madh”, ka thënë Zeka.

Raporti u publikua në fillim të shënimit të javës kundër korrupsionit në Kosovë e cila vazhdon të përballet me kritika për shkallën e lartë të kësaj dukurie dhe mangësinë e luftën kundër saj, posaçërisht në rastet e nivelit të lartë.

Top Channel