Kroacia është shteti i radhës që konfirmon se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për letërsinë. Nesër pritet t’i jepet çmimit austriakut Peter Handke, por Zagrebi thekson se do të bojkotojë për shkak të mbështetjes që shkrimtari i ka dhënë Sllobodan Milloesheviçit.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka vendosur që ambasadori i Kroacisë të mos marrë pjesë në ndarjen e çmimit Nobel në Stokholm, për shkak të ndarjes së çmimit për personat e angazhuar politikisht në mbështetjen e politikës së madhe serbe të Sllobodan Millosheviçit në vitet e 90’ta të shekullit të kaluar”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Jashtme të Kroacisë.

Kosova ishte shteti i parë që konfirmoi se do të bojkotonte ceremoninë e Nobelit, duke marrë mbështetjen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Turqia dhe Afganistani janë dy shtete të tjera që kanë njoftuar gjithashtu bojkotin e ceremonisë.

Përzgjedhja e Handke-s si laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 shkaktoi reagime në rajon dhe më gjërë.

Handke i cili ishte një admirues i madh i Millosheviçit, në një shkrim të publikuar gjatë luftës në Kosovë, kishte shkruar “Nëse mbështetni serbët, çohuni në këmbë”.

Autori austriak kishte theksuar se asnjëherë nuk beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë.

Ai gjithashtu kishte vizituar në burg Millosheviçin dhe kishte bërë përpjekje për të dëshmuar në favor të tij.

Handke poashtu kishte marrë pjesë në varrimin e Millosheviçit në vitin 2006, ku në fjalim ishte shprehur se “Këtu gjendem për Jugosllavinë, Serbinë, Sllobodan Millosheviçin”.

Top Channel