Tërmeti në Amatriçe në Itali ndodhi në 24 gushtin e tre viteve më parë. U regjistrua në orën 3.35 minuta të mëngjesit, e fiksuar edhe në orën e Kishës Sant’Agostino të qytetit, e ndërtuar në vitin 1428.

Njerëzit u kapën në befasi. Intensiteti i madh i lëkundjeve shënoi 312 viktima dhe shumë të plagosur. Dëmet në shtëpi ishin të mëdha. Sot Amatriçe, një qytet i vjetër dhe me shtëpi më shumë se 100 vjeçare është thuajse e pabanuar.

Rrënojat kanë mbetur në vend. Banorët nuk dëshirojnë të kthehen për të jetuar edhe pse është një qytet me shumë histori dhe që identifikonte të gjithë zonën. Në atë kohë qeveria me kryeministër Mateo Renzi, pas një konsulte të gjatë me ekspertët e Mbrojtjes Civile Italiane mori vendimin për të mos ndërtuar shtëpitë e dëmtuara të banorëve të Amatriçes, por ndërtimin e një qyteti krejtësisht të ri.

Në fakt, edhe pse pa tre vjetësh ende nuk ka ndodhur rindërtimi. Amatriçe ka mbetur ashtu gërmadhë e asaj kohe. E vendosur në një kodër, larg qendrave të tjera të banuara, qyteti i vjetër me një arkitekturë për t’u pasur zili ka humbur shumë nga historia e tij.

Jo më shumë se 5 kilometra larg gërmadhave janë ende kontenierët që jetojnë shumë familje. Një pjesë janë larguar nga Amatriçe për të nisur një jetë në re në Lazio, Porto Sant’Elpidio, Fermo, Rieti, apo edhe Romë.

Por, çfarë lidhje ka tërmeti në Amatriçe me atë në Durrës, Tiranë e Thumanë?! E përbashkëta e parë është se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Në Amatriçe në orën 03.35, ndërsa në Shqipëri në orën 03.55. Intensiteti i shkallës rihter ishte në Amatriçe 6.7 ballë, në Durrës, Tiranë e Thumanë 6.4 ballë.

 Në Amatriçe dëmet ishin kryesisht në banesat e vjetra e të ndërtuara prej shekujsh, në Durrës u rrëzuan pallatet e reja të ndërtuara vitet e fundit.

Në Amatriçe, Mbrojtja Civile ishte në funksion të plotë që në minutat e para, në Durrës rrëmujë nga fillimi në fund. Në Amatriçe, mijëra vullnetarë të emergjencave, sepse Italia ka një sistem vullnetarizmi ndoshta më të mirin në Evropë, në Durrës, apo në Shqipëri ka pak, shumë pak vullnetarë.

Në Amatriçe, njësitë e emergjencave kishin shumë pajisje për të ndërhyrë menjëherë, në Shqipëri u deshën mjete, madje edhe qen nga vendet fqinje.

Në Amatriçe lista e banorëve nën rrënoja u publikua një orë pas tërmetit, në Shqipëri tre ditë më vonë.

Gjithsesi, tërmeti në Shqipëri ishte i përmasave të paregjistruara të paktën në katër dekadat e fundit thonë sizmologët.

Që prej vitit 1908 e deri tek më i fundit i fuqishëm në 2016, numri i viktimave në Itali regjistron shifrën e frikshme të 62 mijë e 526 viktimave, pa llogaritur mijëra të plagosur e shumë dëme materiale.

Në Shqipëri, tërmeti më i fundit është ai i 15 prillit të vitit 1979 në Shkodër, pasuar nga ai i 1967 në Dibër, në të cilët janë shënuar viktima. Instituti i Sizmologjisë, që nga krijimi i tij e në vazhdimësi ka bërë studime të posaçme për sizmicitetin e Shqipërisë dhe për zona të veçanta dhe nëpërmjet këtyre studimeve është përcaktuar potenciali sizmik i secilës zonë.

Zonat më potenciale janë pjesa perëndimore e Shqipërisë, zona që laget nga Deti Adriatik dhe Deti Jon, pjesa lindore e Shqipërisë që shkon nga Ohri në drejtim të Peshkopisë dhe një pjesë tërthore nga Vlora, në drejtim të Dibrës. Këto zona janë më potencialet nga ana sizmike, janë goditur gjatë shekujve nga tërmete të fuqishëm, me intensitet 9-10 ballë, duke shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme të konsiderueshme./SHQIP/

FOTO GALERI
1/22

Top Channel