Fundjava evropiane/ Sot derbi i Manchester dhe Lazio-Juve

07/12/2019 16:44

Fundjava e futbollit evropian nisi me një superndeshje siç ishte ajo mes Interit e Romës në Serinë A e mbyllur 0-0.

Ajo do të vijojë me të tjera sfida të mëdha sic është derbi mes Manchester City dhe Manchester United. skuadra e Pep Guardiolës është 11 pikë prapa larg Liverpoolit kryesues dhe ky derbi mund të vendosë jo pak për të ardhmen e skuadrës kampione të Anglisë. megjithatë të Citizens askush nuk shprehet i dorëzuar në luftën për titull kampion në Angli pavarësisht diferencës së madhe që është krijuar me The Reds.

Manchester City vjen në këtë ndeshje pas fitores 4-1 në fushën e Burnley dhe tani do të kërkojë që të mposhtë edhe Manchester United për të marrë një lloj revanshi për shtyrjen e festës së titullit që i shkaktuan Djajtë e Kuq në Etihad para dy sezonesh kur në stol ishte Jose Mourinho. Skuadra e Solskjaer vjen në këtë përballje me moral më të lartë pas fitores së arritur ndaj Tottenhamit që për ironi të fatit kishte në pankinë pikërisht teknikun portugez.

Ndërsa në Itali kjo e shtunë ka rezervuar sfidën mes Lazios dhe Juventusit. Bardhezinjtë do të kërkojnë që të përfitojnë nga barazimi i Interit me Romën për të fituar këtë ndeshje e për të rimarrë kreun e renditjes në Serinë A. Në Olimpico të Romës pritet të jenë 60 mijë tifozë për të ndjekur këtë ndeshje që përbën një rekord sezonal në këtë pikë.

Lazio në mbrëmjen e sotme do të kërkojë thyejë një tabu, pasi nuk fiton në shtëpi ndaj bardhezinjve që nga viti 2003 e për më tepër, Lazio do të kërkojë të jetë skuadra që do t’i shkaktojë humbjen e parë sezonale Zonjës së Vjetër. në Romë do të vihen përballë sulmi i dytë më i mirë, Lazio dhe mbrojtja më e mirë Juventusi. Simone Inzaghi do të besojë për repartin er avancuar te Ciro Immobile që ka 17 gola në 14 ndeshje, ndërsa për të frenuar sulmet e Dybalës e Ronaldos do të mendojnë mbrojtësit e sidomos portieri Thomas Strakosha. Të dyja këto ndeshje do të transmetohen në platformën Digitalb.

 

Top Channel