Rama: Po hetohen 60 kompani në Durrës, për rindërtimin na duhet fuqi punëtore nga jashtë

06/12/2019 09:30

Ashtu siç ka ndodhur rëndom pas fatkeqësive natyrore, kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbledhur qeverinë e tij në një mbledhje të jashtëzakonshme që në mëngjes.

Fillimisht Rama tha se në Tiranë dhe Durrës është gati të fillojë procesi i meremetimeve, ku në Durrës janë 12 kompani të gatshme dhe presin lejen e autoriteteve.

Shefi i ekzekutivit deklaroi se tashmë janë identifikuar 60 kompani të cilat janë duke u hetuar.

“60 firma në Durrës janë të regjistruara nga policia dhe hetimi përkatës si kompani që lidhen me godina të ndërtuara, 12 janë gati, një apel të tjera që të vijnë, nëse duan të lajnë një pjesë të shpirtit të tyre në këtë proces. Hetimi vijon. Janë 30 persona në grupin e hetimit të policisë kriminale bashkë me prokurorët që po mbledhin dokumentet. Nuk ka asnjë provë që fshihet të gjitha vendngjarjet janë të mbyllura nga pikëpamja e dokumenteve, provave, fotografimi, etj”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri deklaroi se programi i rindërtimit kërkon një fuqi të madhe punëtore dhe se ky është një problem që kërkohet ët zgjidhet duke angazhuar persona edhe nga jashtë.

“Kemi një problem me fuqinë punëtore, të marrim edhe nga jashtë. Duhen mijëra njerëz që do të përfshihen në punë. Në seancën e datës 19 ta kalojmë në parlament, që e kemi bërë gati që në tetor për aksesin e fuqisë punëtore nga jashtë”, tha Rama.

Top Channel