Brukseli hedh poshtë opsionin e Krishtlindjeve, vizat s’janë në agjendë për këtë vit

06/12/2019 11:28

Republikës së Kosovës nuk do t’i mjaftojë mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për të marrë liberalizimin e vizave si dhuratë për Krishtlindje gjatë këtij viti.

Kjo pasi situata brenda institucioneve të Bashkimit Evropian dhe disponimi i shteteve tjera anëtare është tërësisht në disfavor të Kosovës. Një burim zyrtar brenda Bashkimit Evropian ka konfirmuar se nuk pritet që Këshilli Evropian të diskutojë për këtë çështje gjatë këtij viti.

Çështja e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës nuk pritet që të jetë në agjendën e ndonjë takimi të Këshillit Evropian gjatë këtij viti. Një gjë të tillë për Gazetën Express e kanë konfirmuar burime zyrtare brenda Bashkimit Evropian.

“Mund të konfirmoj që kjo temë nuk pritet të jetë në rendin e ditës të ndonjë mbledhjeje të Këshillit para fundit të vitit”, ka thënë ky burim.

Çështja e heqjes së regjimit të vizave për kosovarët ka ngecur në nivel teknik brenda Këshillit Evropian dhe nuk dihet as kur do të mund të merret ndonjë vendim e as se kur do të mund të kalojë në nivelin e ministrave.

“Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë mbetur në nivelin teknik brenda Këshillit. Nuk mund të spekuloj se kur mund të sillet në nivelin ministror ose kur mund të merret një vendim”, ka shtuar tutje ky burim zyrtar nga Bashkimi Evropian.

Ndërkohë kjo çështje duket se nuk është prioritet as për Finlandën, shtet ky që aktualisht është duke udhëhequr me presidencën e Bashkimit Evropian.

 Virpi Kankare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës në një përgjigje dhënë Gazetë Express, ka potencuar se nuk kanë ndonjë informacion shtesë lidhur me këtë çështje, përveç qëndrimit që kishte dhënë për Express më muajin qershor, se “duhet plotësuar kushtet dhe se vendimi është në dorën e Këshillit”.

“Me keqardhje ju njoftoj se nuk kemi ndonjë informacion të mëtutjeshëm mbi temën”, ka thënë ajo.

Gjithë kësaj situate i shtohet edhe qëndrimi i prerë i Francës së presidentit Emmanuel Macron, të cilët vazhdojnë të potencojnë se Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet për të lëvizur lirshëm në Zonën Schengen.

Diçka të tillë për Gazetën Express e kishte konfirmuar në fundin e muajit tetor një burim diplomatik brenda institucioneve franceze.

“Për heqjen e regjimit të liberalizimit të vizave kërkohet përmbushja e disa kushteve, përfshirë këtu sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, kishte thënë ky burim diplomatik duke shtuar se përveç Francës janë edhe disa shtete të tjera të cilat vlerësojnë se Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet.

Megjithatë gjithë këto qëndrime zyrtare të shteteve anëtare dhe institucioneve të Bashkimit Evropian nuk i bëjnë përshtypje kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt, i cili vazhdon të urojë kosovarët për liberalizimin e vizave, që sipas tij kishte ndodhur qysh pas takimit që kishte pasur me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer gjatë verës.

Përveç ministrit Seehofer, mbështetje për vizat është dhënë edhe nga deputeti i partisë së kancelares Angela Merkel, Peter Beyer, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, nga zyrat e LDK’së kishte deklaruar se liberalizimi i vizave mund të jetë një dhuratë e Krishtlindjeve për kosovarët.

Top Channel