Në studion e emisionit “Top Talk”, të drejtuar nga gazetari Denis Dynjaja ishte i ftuar Gjergj Bojaxhi. Ai kritikoi mënyrën sesi qeveria dhe Kryeministri Rama po i qasen krizës humanitare që prodhoi tërmeti i 26 nëntorit.

“Për çdo shoqëri dhe çdo familje, debati gjithmonë është se ku vend duhet të shtrëngohen dhe ku duhen të lirohen. Ne aktualisht nuk kemi fonde për të përballuar fondet që duhen për riparimin nga tërmeti. Çështja është se nga cila fushë e sektorit do t’i heqim ca lekë për të vendosur për të bërë riparimet e infrastrukturës së dëmtuar. Nga ky këndvështrim në parim dhe teorikisht mund të thuhet që dakord, shteti shqiptar do të kufizojë shpenzimet në disa sektorë dhe do të investohen për këtë gjë. Por ne duhet të dimë nga qeveria se në cilën sektor do të hiqen këto fonde dhe çfarë do të mungojë për këtë gjë”, tha Bojaxhi.

Më tej ai shtoi:

“Qeveria ka nevojë që të dalë specifikisht që fondi për arsimin ishte kaq milionë, ne do të heqim këtë nga tërmeti dhe do ta investojmë për rrugën. Kjo është e vetmja mënyrë që ne të kemi një bisedë transparente dhe qytetarët shqiptarë të bëjnë vlerësimin se si qeveria po sillet me nevojat e tyre më të rëndësishme. Gjithashtu nuk jam dakord që të ndërtohen të gjitha shtëpitë. Po banesat që kanë qenë pa leje, po ata që janë të dëmtuara. Nuk është normale që të gjitha banesat t’i ndërtojë shteti. Sepse në rastin që banesat janë pa leje nuk është obligim kushtetues nga ana e qeverisë që ti ndërtojë këto banesa, nëse është e tillë pse ne nuk i japim një banesë personave që janë në zonën e Astirit. Shoqëria dhe shteti duhet të ketë një rrjedhë, duhet të ketë një vazhdimësi të logjikës. Nëse ne nuk kemi një standard atëherë i bihet që kryeministri sot zgjohet, i teket për të shkuar në mal dhe nesër do të ikë në fushë”, përfundoi argumentin e tij Gjergj Bojaxhi.

Top Channel