Sociologu Ergys Mertiri: Shqipëria nuk ishte e gatshme për përballimin e një situate të tillë

03/12/2019 17:23

Ditën e sotme në studion e “Top Talk” me gazetari Denis Dynjaja, ishin të ftuar sociologu Ergys Mertiri, Ish deputetja e PD-së, Jorida Tabaku si edhe avokati Adriatik Lapaj.

Në studio u fol për situatën në të cilën ndodhet  Shqipëria, pas tërmetit të fuqishëm që preku vendin mëngjesin e 26 nëntorit, për masat që janë ndërmarrë dhe duhen të ndërmerren, si e përballoi vendi ynë një situatë të tillë.

Në fjalën e tij sociologu Ergys Mertiri, u shpreh se vendi ynë nuk ishte e përgatitur për një situatë të tillë, ekipet e shpëtimit të palës shqiptare nuk përmbushën kushtet teknike, për një situatë të këtyre përmasave.

“Në gjykimin tim përballimi i situatës nga vendi ynë ka qenë skandaloz, shteti nuk kishte kushtet elementare. Nuk futesh dot nën rrënoja pa një kokore e cila është një nga kushtet teknike standarde, pa doreza, s’kemi as qenë të cilët janë të specializuar për këto situata dhe asistojnë së tepërmi në kërkimin e personave nën rrënoja”, tha Mertiri.

Më tej ai shtoi:

“Kosova ka vetëm 10 vite shtet, ne kemi më shumë resurse se ato, burime financiare më të mëdha, ne nuk kemi asnjë aparaturë, ndërsa Kosova kishte këto kushte. Në kushte të tilla e them me plot bindje se këtu tek ne nuk ka shtet”, u shpreh sociologu i njohur.

Top Channel