Rovena Vodo: Në qarkun e Durrësit janë inspektuar 701 objekte, 20 prej tyre janë prishur

03/12/2019 19:32

Në një deklaratë për mediat zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda, foli për situatën në të cilën ndodhen vendet më të prekura nga tërmeti që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit. Voda është vendosur në krye të shtabit të emergjencave në qarkun Durrës dhe raportimet e saj ishin të përqendruara në këtë qark.

Zonja Vodo u shpreh se në qarkun e Durrësit, janë inspektuar 701 objekte, nga këto objekte të inspektuara deri më tani 610 ndodhen në bashkinë e Durrësit, 237 janë shpallur të pabanueshme dhe 27 janë për tu prishur. Në Bashkinë Krujë, 41 objekte janë inspektuar, 5 janë shpallur të pabanueshme dhe asnjë nuk është prishur. Në Bashkinë Shijak janë inspektuar 45 objekte dhe 25 prej tyre janë shpallur të pabanueshme dhe asnjë nuk është prishur.

Vodo u shpreh se deri më tani janë prishur 20 objekte, 8 prej tyre janë prishur në qytetin e Thumanës dhe 12 objekte në Durrës. Gjithashtu ajo shtoi se janë angazhuar në terren 334 forca të FA (forcat e armatosura), dhe rreth 100 mjete të cilat janë angazhuar për ndërtimin e çadrave dhe menaxhim kampingjesh.

Zv/ministrja tha që edhe shërbimet shëndetësore janë vendosur në funksion të banorëve që kanë nevojë për një trajtim mjekësor. Gjithashtu pranë hoteleve ku janë strehuar personat e prekur nga tërmeti janë duke asistuar mjekë për personat e sëmurë kronik, gratë shtatzënë dhe fëmijët nën moshën 5 vjeç.

Top Channel