Pas tërmetit shkatërrimtar në Shqipëri, për pasojat e rënda të të cilit kryesisht fajësohen ndërtimet e dobëta, edhe në Kosovë është hedhur vështrimi nga ndërtimet dhe cilësia e tyre.

Sipas ministrisë së mjedisit dhe planifikimit hapësinor, në Kosovë janë rreth 352 mijë ndërtime pa leje. Ky numër ndërtimesh jo vetëm ka dëmtuar infrastrukturën urbane por edhe sigurinë e qytetarëve, pasi ndërtimet janë bërë pa mbikëqyrjen e organeve përgjegjëse.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre ndërtimeve nuk kanë projekt dhe as nuk janë të trajtuara në aspektin sizmik ndërsa të tjerë janë trajtuar në kuptimin e efekteve të goditjeve sizmike. Ekspertët thonë se për të bërë një vlerësim të situatës, organet e pushtetit lokal duhet të ngrenë trupa për të bërë vlerësime të gjendjes së objekteve formale se në çfarë kushtesh janë ato në aspektin e sigurisë.

Ndonëse ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor e ka nisur legalizimin si proces, ajo nuk ka një vlerësim se sa të sigurta janë këto ndërtime. Kosova, sipas Institutit të Sizmologjisë, shtrihet në një zonë tektonike, ku lëkundjet e tokës mund të jenë të shpeshta dhe të fuqishme.

Zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Kosovë janë Istogu, Peja dhe Prizreni, megjithëse Vitia, Ferizaj dhe Gjilani janë zonat që edhe në të kaluarën janë prekur nga goditjet tektonike. Brenda 15 vitesh në Kosovë kanë ndodhur dy tërmete me mbi 5 shkallë të Rihterit, një me pasoja të rënda në Gjilan. Ndërkohë që sipas regjistrit kombëtar të ndërtimeve pa leje, Prishtina ka numrin më të madh të tyre me mbi 46 mijë. Ndërsa të tjera komuna me një numër të madh ndërtimesh të pakontrolluara janë edhe Ferizaj, Gjilani, Prizreni dhe Malisheva.

Top Channel