Të dielën futboll në Durrës/ Teuta pret Skëndërbeun në stadiumin që strehoi të dëmtuarit nga tërmeti

02/12/2019 20:03

Stadiumet e Durrësit dhe Tiranës u kthyen në këto ditë tragjedie, një vend ku u strehuan të prekur nga tërmeti shkatërrues dhe pikë grumbullimi për ndihmat e shumta.

Por në të njëjtat impiante, pritet që futbolli të rikthehet me një festë të bukur, si simbol i ringritjes dhe rigjallërimit të qyteteve që po vuajnë më shumë pasojat.

Kështu federata Shqiptare e Futbollit pasi pezulloi të gjithë kalendarin për shkak të situatës së krijuar, do të organizojë ndeshjet e kategorisë Superiore në dy ditë. Tirana do të presë Kukësin të shtunën në orën 16:30 në stadiumin Selman Stërmasi, në të njëjtin vend ku bardheblutë u solidarizuan me të prekurit duke ngritur çadra e tenda e duke grumbulluar ndihma. në po të njëjtën ditë Bylis Pret Partizanin dhe luftëtari luan me Vllazninë, të dy ndeshje në orën 13:30.

Edhe pse me shumicën e banorëve të larguar, dhe me dhjetëra banesa të dëmtuara nga tërmeti, Durrësi do ti rikthehet futbollit me një ndeshje që merr një simbolikë të veçantë në Niko Dovana. Në stadiumin e kthyer në vend takimi për dhjetëra të prekur dhe vullnetarë që ndihmuan me pasojat e tërmetit, Teuta do të luajë ndaj Skënderbeut, të dielën në orën 16:30. Fusha sigurisht nuk do jetë në gjendje optimale, por zhvillimi i ndeshjes shihet si një mesazh nga FSHF për të rikthyer gëzimin në një qytet që po vuan më shumë tragjedinë.

Top Channel