Ardhja e kopjeve të para të “Mesharit” të Buzukut mbetet momenti më historik për gjuhën shqipe, të cilën e ka përshkruar At Justin Rrota në librin e tij “Për historinë e alfabetit shqyp”, botuar së pari në Shkodër, nga Shtypshkronja Françeskane, në vitin 1936, që njohu botimin e dytë në vitin 2005, duke nxjerrë nga heshtja gjysëm shekullore librin e parë shqip, sjellë në tri kopje.

Nga AT JUSTIN RROTA

…Sa s’qava prej gëzimit. E mora ngrykë Buzukun e dashun, e putha me nderim edhe u vuna mbë tryesën e madhe të studjuesavet. Edhe nisa t’a shfletsoj si i dëshruem me mall e poni, njashtu sikurse shfletohen letrat e shtrënjta të njëj miku të vjetër…

Ende i ri me moshë, sado i ligshtuem kahë shendeti, unë, aso pranvere 1929, jipshem gjithënjë mësim gjuhët ndër klasët e nalta të gjimnazit. Lajmi i shpallun atëherë prej fletoresh e revistash mbrenda e jashta Shqipëniet, se gjindej ndër arkivat e Romës një kopje e librit ma te vjetrit shqip (1555), qyshë ndë fillim më kishte trandë e elektrizue. Më dukej si çudë, nuk e kuptojshem dhe griheshem vetë me vete kahë mendojshem, si mund të rrijshin indiferente sidomos masat intelektuale ndë një Shqipëni, Shtet ndë vete, ndaj visarit buzukjan! Kahë s’më linte e keqja e atij monumonti jetik, vorrue nd’errësin’ e libravet të hueja larg atdheut, nd’atë pakicën teme, gji’thësa munda dhe gjithësa dijta, nxita e mërzita të madh e të vogël, ta kapshin ma me zell çashtjen e çimelit ndë fjalë. U desh do kohë djeri që ata, të cilët kishiri punë ndë dorë, t’a kuptojshin randësin’ e dokumentit dhe t’a shndrojshin ndë realitet dëshirin e vullëndetmirëvet. Sigurisht, jo po: si ma kompetenti, por… s’e dij; ndashti pse u dëftova aqë entuzjast, qeshë zgjedhë vetë për këtë misjon; d.m.th. të siellshëm ndë tokën Shqipëtare, — mbasi s’ishte e mundun- kopjen origjinale, që njihet e vetmja ndë botë, — ndëmose librin e fotografuem, qe të mundshin kështu studjuesët e pastudjuesët me e kundruem pasqyrën e shqipes së folunë prej së parësh si në shokullin fill mbas deket së Skunderbeut.

* * *

U nisa. Por, shi ate ma të parë natë ndë cilën mbërrina ndë Romë, krejt entuzjast për misjonin tem, m’u prish. Kur më qiti rasa t’ia përmendshem dikuj qëllimin, për të cilin kishem ardhë, m’a priti truq: «Edhe unë mirrem me kësosh punësh, jam hulumtues dokumentash të vjetër”. Por, po kam keq të ju thom një fjalë: Kini ardhë ndë një kohë të keqe. Këso ditësh vapet, bibljoteka, me të cilën kini punë Ju, ashtë mbyllë, mbasi personeli gjindet i shpërndam ndër pushimet verore”. Ato fjalë me ranë si ujët valë. Me kaqë, ideali dhe entuzjasmi, me të cilin ishem nisë për këtë udhtim të jashtëzakonshëm, automatikisht binte poshtë. Shto shpenzimet, dhe… ma zi marrja, se dami. Misjoni im; barra m’e zhvorrue Buzukun, erdh e m’u pështjellue aqë, sa, për një ças u pendova, pse ia kishem hy ndopak. Kishem ra, pse kështu kishem urdhën, ndë një monastir të përbam prej fretënsh spanjollë, vetëm prej kësish. Tashti, për fat temin aty banon te edhe një frat piktor, i dërguem prej provinçës së vet, për të nxjerrun kopje nga origjinalet e kryevepravet të Pinakotekës së Vatikanit. Artisti, A. Eugjeni ishte fort i njohtun ndër ato ambjente: kishte teserën me hy e me dalë pa taksë. Ndë gjithatë demoralizim ku gjindeshem, m’u duk një ndërmjetës i aftë, për të më çelë shteg nd’atë punën teme. Prandej, unë, gjithëkund bisht mbas si, A. Piktori kishte aty ndër Muzejt e përmëndunë një zyrtar, kolegë të vetin: bashkëvëndaa. Hapat e gjurmimit të parë i filluem te ky. Para së gjithash na drejtoi te një rojtarësh së Bibljotekës, te një plak. Aty morme vesht, se arkivet ishin gjithënjë çelë; edhe pamë vizituesët, që hyjshin e dilshin… M’erdhi fryma! Bana si bana, e të nesërmen hyna edhe unë ndë Bibljotekë. Mirë se hyna, por ku do t’ua nisshem kërkesavet, unë, që, përposë emnit t’auktorit dhe të titullit të trilluem të Mesharit, nuk kishem kurnjë shenjim tjetër?…Duhet me u gjetë mbrendë nd’atë pyllë të dendun librash e dokumentash, sikurse gjindeshem une atë ditë për ma të parën here ndë jetën teme, për të pasun iden, çka ashtë ajo Bibljotekë! Më drejtuenë te sekcjoni i ungjijvet të vjetër: Dorëshkrime artistike, apor inkunabula, të lidhunë shumica me lëkurë apor edhe ndër përgamene; disa, të mëdhaj sa une ndë kambë. E e siellshem prej fundit mbë krye katalogun e atyne punimeve të vjetra: Ungjij gjithnduerë gjuhësh, ritit e stilit. Por, ç’dobi? Shqip, kurrgja, kurrkund!… E vijova unë për do dit të mira ndër këto kërkesa të pafrytshme. Vijova djeri që një ditë m’a bani njeni rojtarësh: “D. Çiril Korolewsky, ai mirret me këso shkrimesh e botimesh së soçme liturgjike të kishëvet orientale”- Edhe m’a dëftoi tavolinën ku punonte. Por mjerisht aso ditësh, ndërsa unë ishem nder grepa, tryeza e tij shihej gjithmonë thatë. Ku ishte D. Korolewsky?…Kishte shkue – më thanë- diku ndër rrethet e qytetit për pushime verore. Por, me siguruenë se, mbas fjalës së lanunë, nuk kishte vonesë. Edhe unë, për ditë nade, punën ma të paren, sa shkojshem ndë bibljotekë; me pyetë derëtarin, a kishte këthye D. Çirili! Nuk kaluenë shumë dit njimend, edhe një rojtar m’a dha lajmin e gëzueshëm, se tek e mbramja i dëshruemi kishte mbërri natën para. E prita. Për nji që me pau, m’a bani: “Po a Ju jini ai Frati nga Shqipënia, që më kërkoni tash një javë? Buzukun lypni? Qe; më falni sa t’i ap fund njëkësaj letre që kam ndë dore, edhe Jua pruna. Të më kishte thanë, sa, m’ishte ngjalle prej vorrit njëni robësh së mi te dekune, nuk e dij, se do t’ishem gezue ma fort. Sa s’kjeshë tue i ra ndë gjuj përpara, me i puthun kambën. Kaq! Tre minuta, nuk vonoi ma, për t’a krye atë shkresë, por mue m’atohere, kur e kishem, si me thanë, Buzukun nde grusht, ata minuta m’u duknë orë. Dikur u çue, e la tavolinën; edhe, pa më thanë mue gja, shkoi e humbi mbas do raftesh së mëdhaj librash, sa… Nuk vonoi sa ndora, kur, si triumfalisht, m’a dorëzoi blenin e dëshruem. Sa s’qava prej gëzimit. E mora ngrykë Buzukun e dashun, e putha me nderim edhe u vuna mbë tryesën e madhe të studjuesavet. Edhe nisa t’a shfletsoj si i dëshruem me mall e poni, njashtu sikurse shfletohen letrat e shtrënjta të njëj miku të vjetër… Kaqë i kishem këcye përsipri atij visari të çëmueshëm, sa më bje ndër mendë, se njëni rojtarësh m’u afrue e më tha ndë vesh: -Më kadalë! Këqyrni, mos t’a damtoni tue e shfletsue: ashtë gja e vjetrë -… Mandej jo vetëm me i vu duerët sypri!” Kishte arsye, e pashë, të m’i qitte ndër mendë rregullat ma elementaret e këtyne rasave; por, ç’ti bajsh!… Unë atëherë kishem tretë faret dhe s’dijshem ku ishem prej gëzimit e mallit. Këndova mbë te sa këndova, djeri që u ba koha me i lirue salonat e leximit. Njashtu edhe nd’e nesret e nd’e mbasnesrit; s’kishem të ngim. Një herë së parit rishtar i pamësuem me stilin dhe grafin buzukjane, ngurojshem. Por, menjëherë ia mora dorën leximit, dhe s’m’u bante ma me e lëshue. Nuk e tora gjatë. Fil njaty të tretën a të katërten ditë mbassi u këndaqa me të, u informova për fotografistin e bibljotekës. Më paraqitnë një farë Sansaini-t. Pashë modelat, i zgjodhmë, dhe ramë ndë godi për çëmim. Venduemë me i a hy punës pa tjetër: me fotografue krejt Mesharin, me m’a lidhë – dy kopje nde lëkurë, njenën nde rason. Për këto punime më kërkoi Stabilimenti nj’a tri javë afat. Edhe unë ndë këtë ndërkohë e lashë Romën, e dola me kërkue ngjeti për dokumenta të shqipes.

***

Ndë krye të tri javëve, t’u këthyemen ndë Romë, puna ma e para, m’u pjekë ndë fotografistin sypermarrës. Stabilimenti Sansaini i kishte ndjeë përpikënisht kontratës. Kur m’i qiti me i pa blejt e lidhune, më qeshi buza, ma fort zemra. Sadoqë për dukë t’a këndaqshin synin, tue i shfletsue vërtetova, se reprodukcjoni ndër të tria kopjet nuk ishte ashtu i pastër dhe i qartë, si e kishem dëshruem. M’u prish pak. E po, thashë, cila vepër njerëzore mund të dalë prej doret së mjeshtrit krejt pa kurnjë të metë a njollë? Por prap mendova, se njëni vend i mbyllët i kopjes a) mund të ndriçohej me tekstin e kopjes b). Më kishte marrë mëndësh fotografisti me të lidhunt aqë elegant, sidomos t’asaj me rason; e… s’i bana ma fjalë. U gëzova sa s’ka posaçe kahë mendojshem se me kaqë misjoni im kishte marrë një përfundim të mirë, e se tash mund t’u këthejshem ndë vend tem me ball hapët. I dhashë drejtimin, të m’i binte ku rrijshem: SS. Quaranta. T’i marrmen ndë dorëzim “Buzukat” e lidhunë, aty për aty i a pagova sypërmarrësit punën: përsa më bje ndë mendë, nga 1200 lt. kopjen. Tre blejt ndën sqetullë, me atë fill ngava të Libreria e famëshme “Desclee”. I porosita të m’i impakojshin sa ma mirë dhe të m’i sigurojshin me garansit ma të fortat të zyrës postare. Ndërkaq i hoqa edhe vetë spirancat prej Romës edhe mora drejtimin kahë vendi im. Çka do të bajshem ma rrugash? …Një javë, nuk e besoj se vonoi ma tepër; edhe qe, se m’erdhi lajmi i zyrës së postelegrafës, që më njoftonte, se Buzukat kishin mbërri ndë doganën e qytetit.

***

Sa i vogël edhe unë!…Këndaqeshem tue i këqyrë ata tre blej. Si të kishem ba një punë të madhe!

Top Channel