Vettingu vazhdon të japë efektet e tij. Disa dalin të qeshur madje nuk harrojnë të falenderojnë veç trupës edhe vetveten.

Siç veproi prokurori i apelit, Kleanthi Zeka, menjëherë sapo u konfirmua në detyrë.

“E dija që do kaloja që të jem i sinqertë, se e di kush jam e çfarë kam bërë dhe ua thashë edhe këtyre të vettingut. Ndaj i falenderoj edhe ata, shpresoj që vettingu të vazhdojë kështu”, shprehet Kleanthi Zeka prokuror i apelit në Vlorë.

Të tjerë nuk vijnë fare pasi kanë kuptuar në seancën dëgjimore që kanë dalë keq. Gjyqtari i Apelit, Durrës, mungoi gjatë shpalljes së vendimit ku u shkarkua.

Të tjerë, si Simon Pashuku e presin në heshtje verdiktin e shkarkimit.

Deri më tani nga nisja e vettingut janë kontrolluar 171 gjyqtarë e prokurorë prej të cilëve 89 janë shkarkuar.

I shkarkuar konsiderohet edhe Besnik Muci, e megjithatë ai rikthye në Gjykatën Kushtetuese ku mbajti detyrën jetëshkurtër për gati një muaj. Ai dorëzoi kërkesën përmes të cilës pretendon vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese duke iu referuar nenit 127, që përmend përfundimin e mandatit me vendim të gjykatës. Por ky argument i Mucit mund të merrej në konsideratë në lexim të plotë të ligjit, vetëm nëse ai do ta kishte fituar mandatin pasi të kalonte provimin e vettingut, tek i cili ngeli për shkak të pasurive. Por edhe për shkaqe të tjera.

Vendimi i kolegjit të posaçëm është i formës së prerë dhe i vetmja rrugë e Mucit është vetëm Gjykata e Strasburgut.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta gjatë një takimi me ish gjyqtarin që e dekretoi në tetor për detyrën e gjyqtarit kushtetues, i kërkoi Besnik Mucit që ta rishikojë qëndrimin e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Zyra e shtypit njoftoi se në këtë pikë pas vendit të ngelur bosh, presidenti Meta është në pritje të njoftimit të Gjykatës Kushtetuese për të rishpallur menjëherë vakancën. Po ashtu sa i takon çështjes së KED, presidenti më në fund do të realizojë shortin për KED 2020 që do të mbahet në datën 5 dhjetor.

Anila Hoxha

Top Channel