Shqiptarët kontrollojnë sot tregun e kokainës së pastër pasi e sigurojnë atë në burim, kështu tha sot në Top Talk korrespondonti i Top Channel në Londër, Arben Manaj.

Manaj thotë se “Krimi i organizuar ka filluar një fushatë, një trend për të sjellë shqiptarë duke ua paguar krimi i organizuar koston, biletën sepse këta njerëz, këta djem të rinj merren ose me shpërndarjen e kokainës në Londër, ose me kullat e barit (bëhet fjalë për kultivimin e kanabisit nëpër shtëpi të marra me qira të cilat i modifikojnë) dhe ky është një nga fenomenet më masive”.

Nëse para një viti ishte shpërndarja e kokainës e cila vazhdon ende, sot trendi i fundit është pikërisht kultivimi i kanabisit, tregon Manaj dhe pikërisht “në ambientet e marra me qera, në ndërtesa të vjetra të cilat këta i rregullojnë në mënyrat më të ndryshme, më ndriçim me letër, me ngrohje etj”.

Korrespodenti i Top Channel tregon më tej se janë pikërisht të rinjtë që i kanë hyrë kësaj rruge, ndërsa tregon se sot është bërë shumë e vështirë për të marrë azil në Britaninë e madhe dhe kjo kryesisht për shqiptarët .

“Ka shumë të rinj që vijnë në moshën 13-14 vjeç dhe deri në moshën 18-vjeç shteti është i detyruar me ligj t’i mbajë. Në momentin që bëjnë 18-vjeç duke kaluar nëpër procese gjyqësore është e sigurt që nuk e fitojnë statusin e azilit dhe çfarë ndodh ? Këta janë një kontigjent që kalojnë të gjithë në të zezë dhe shndërrohen në kontigjent krimi dhe krimi i organizuar i pikas këta dhe në forma të ndryshme i fut në këtë rrugë dhe të ardhurat janë shumë të mëdha.

Ndërkohë ka një trend akoma më të fundit ato që quhen në Londër dhe po përhapen në të gjithë Britaninë e madhe janë (county lines) linjat e shpërndarjes së drogës , numra telefonash, ku psh një njeri që është i varur nga kokaina i bie numrit dhe unë prsh bëj dispeçerin, pra ta sjellin në shtëpi”, tregon ai.

Por sa e vërtetë është që shqiptarët kontrollojnë tregun ?

“Atje funksionon Agjensia e luftës kundër krimit, dhe jam 100 përqind i sigurt që ka një departament më vete që merret me krimin e organizuar shqiptar sepse e tillë është, mendoj që ata shumë shpejt do kapen, pasi ka një luftë shumë të suksesshme ndaj tyre. Shqiptarët sjelli kokainë me një pastërti shumë të lartë dhe kjo i shmang rivalët e tyre siç kanë qenë rumunët apo ata nga vendet e karaibeve. Këta shkojnë i marrin direkt në Amerikën Latine dhe pastaj i sjellin aty”, u shpreh Manaj.

Top Channel