Tirana u shpall dje në mbrëmje “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022, duke triumfuar pas një gare goxha të fortë me 4 qytete të tjera finaliste si; Baia Mare (Rumani), Kazan (Rusi), Poznań (Poloni) dhe Varaždin (Kroaci).

Vendimi u dha nga një juri e specializuar me përbërje të përfaqësuesve nga organizata dhe institucionet më të rëndësishme europiane si; Parlamenti Evropian, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Këshilli i Rinisë i Këshillit të Evropës.

Në këtë ceremoni Bashkia e Tiranës përfaqësohej nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Stafi i Bashkisë së Tiranës punoi për më shumë se një vit për suksesin e djeshëm. Tirana u vlerësua për fokusin tek të rinjtë, duke filluar nga ata më të vegjlit, me çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave. Në ceremoninë në Amiens mori pjesë edhe Presidenti Francez, Emanuel Makron, i cili tha se rinia ka një rol të rëndësishëm në Europë për mbrojtjen e vlerave të padiskutueshme siç janë kultura, demokracia, klima, ekologjia.

Si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj dhe do të përpiqet të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane.

Top Channel