Lider i Evropës apo mbrojtës i interesave tradicionale franceze?

22/11/2019 22:55

Gjermania iu përgjigj këtë javë zyrtarisht pikëpyetjes franceze për të ardhmen e NATO-s.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s se NATO-ja duhet të zhvillohet, në pikëpamje konceptuale dhe politikisht, me “qeliza politike të gjalla”. Gjermania kërkon që NATO-ja të mos fiksohet vetëm në politikën e mbrojtjes, por të theksojë funksionin e saj politik. Për këtë ministri Maas propozoi ngritjen e një komisioni ekspertësh, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: për të paraqitur propozime si politike, ashtu edhe për çështje transatlantike.

Ky propozim gjerman pranon atë që thonë francezët: se ka probleme në bashkëpunimin brenda NATO-s. Shkasin për kritikën e fundit me “fjalë drastike” ndaj NATO-s, Presidenti francez Macron e mori nga dy veprime të pakoordinuara me aleancën të dy anëtarëve të NATO-s: SHBA dhe Turqisë. Presidenti Trump i tërhoqi trupat nga Siria dhe Presidenti turk Erdogan marshoi në Siri pa u konsultuar me Aleancën. NATO-ja është e vdekur klinikisht dhe nuk dihet nëse funksionon klauzola e mbrojtjes reciproke ndaj një shteti anëtar, deklaroi në këtë kuadër Presidenti Macron në intervistën, tashmë të famshme, me gazetën britanike “Economist”.

Reformim, por jo pikëpyetje NATO-s

Funksionin e prishjes së statuskuosë, apo “disruptiv” siç cilësohet në Evropë stili i ri i Macronit, intervista me britanikët e arriti. Gjermania përpiqet tani me propozimin e saj ta fusë debatin në linja konstruktive, në mënyrë që besimi ndaj NATO-s të mos tronditet në themel. Gjermania kërkon reformim të NATO-s, nuk pranon ta vërë në diskutim atë. NATO-s si aleancë ushtarake nuk i vihet pikëpyetje, edhe nëse Macroni ka të drejtë në 95% të atyre që thotë, deklaroi edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. Ne shtrojmë pyetjen a mund të mbështetemi vërtet te një aleate si Franca, që gjithsesi investon pak për Aleancën, ishte reagimi i zemëruar që erdhi nga Varshava. Përballë kësaj, sekretarja franceze e shtetit për Evropën, Amélie de Montchalin argumenton se Macroni i shtroi qëllimisht tani pyetjet e tij: në prag të kremtimit pas dy javësh të 70 vjetorit të Aleancës dhe para fillimit të punës së Komisionit të ri Evropian.

Aftësia e Macronit për t’u vënë gjërave emrin që kanë dhe guximi i tij ka simpatizantë edhe në Gjermani. Por ajo që çudit me veprimet e Macronit këtë vit është se mjaft vetëve ai u kujton rolin që luanin në BE deri tani britanikët e parehatshëm: ata kundërshtonin (shpesh me sukses) përpjekjet për politika të përbashkëta evropiane, p.sh. në mbrojtje, të cilat do të lejonin thellimin e unifikimit në BE. Kjo në një kohë kur deklaratat e Macronit janë të kundërta me veprimet e tij bllokuese këtë vit: ai ka këmbëngulur për thellimin e BE, në mbrojtje, në fushën e sigurisë dhe me bashkimin bankar.

Veprimet e Macronit janë kontradiktore. Ai flet për forcimin e BE, por veprimet e tij dobësojnë pozicionin evropian duke bllokuar hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Macroni kërkon një ushtri të fortë evropiane, por ushtarakisht nuk e forcon kontributin evropian në NATO: Franca nuk pranon p.sh. të drejtojë batalione të përbashkëta të NATO-s në Estoni. Ai kërkon autonomi ushtarake nga SHBA. Por pa SHBA, ushtritë e dobësuara evropiane nuk e mbrojnë dot kontinentin. A është Franca në fakt më e interesuar që të marrë rolin e superfuqisë ushtarake në një Evropë të dobësuar? A po sheh fuqi të tjera, si p.sh. Rusinë në këtë rol? Cilat janë me të vërtetë synimet e Macronit?

Kufizimi i fuqisë politike të Gjermanisë – motiv frymëzues për Macronin?

Te shumë vëzhgues po forcohet përshtypja se motiv frymëzues për Macronin është bërë dëshira për të kufizuar fuqinë politike të Gjermanisë në Evropë. Kjo ka qenë traditë e politikës franceze, veçanërisht deri në ribashkimin e Gjermanisë. Veprimi i fundit bllokues i Presidentit francez, vetoja për fillimin e negociatave për anëtarësim të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shihet si një hap tjetër në këtë drejtim. “Nëqoftëse se Gjermania do të zgjerojë sferën e saj të influencës, nuk mund ta bëjë këtë falas”, i tha një politolog francez së përditshmes Le Monde. Ai nuk përmendi përpjekjen e Francës për të rigjallëruar marrëdhëniet me Serbinë, gjë që u duk në vizitën në korrik në Beograd të Presidentit Macron. Dhe bllokimin nga Franca të liberalizimit të vizave të BE me Kosovën. A do t’u kushtohet Franca në të ardhmen kryesisht lidhjeve të saj tradicionale? Fakt është se Franca nuk sheh përfitim nga zgjerimi i BE në vendet e Evropës lindore dhe jugore. Ky zgjerim ka theksuar rolin qendror të Gjermanisë në BE.

Në shkurt të këtij viti papritur Franca e shpalli veten kundërshtare të tubacionit të furnizimit me gaz nga Rusia, Nordstream 2. Kundërshtimi i Francës ndaj këtij tubacioni, me të cilin Gjermania do të furnizohet me gaz rus e forcoi qëndrimin kritik për këtë projekt të Komisionit Evropian. Kompromisi u arrit me shumë vështirësi.

Mungesa e re e vullnetit nga Parisi për t’u koordinuar me Berlinin për Evropën, shkakton habi në Berlin. Ministri i Jashtëm gjerman, Maas kërkoi në kuadër të takimit të NATO-s që të dyja vendet të dakordohen “për premisat strategjike – në mënyrë që të mos shkaktohet dëm” i rëndë. Në kuadër të takimit të Partisë Popullore Evropiane në Zagreb, kancelarja Merkel tha se BE do të bisedojë me hollësi me Macronin, edhe për zgjerimin e BE.

Kjo në një kohë kur revista gjermane “Der Spiegel” shkruan këto ditë se kur punonjësit e Kancelarisë Federale pyesin në Paris homologët se pse Franca nuk po i koordinon qëndrimet me Gjermaninë, përgjigjja që vjen nga bashkëpunëtorët është se ata kanë vetëm ndikim të kufizuar te Presidenti i tyre. Kjo të kujton marrëdhëniet e Trumpit me bashkëpunëtorët. Prandaj një analist flet për një lloj “trampizmi intelektual” që vjen për momentin nga Parisi.

Afrimi francez me Rusinë dhe rezervat evropiane

Linja tjetër e re e politikës së jashtme franceze, afrimi me Rusinë, flet për këmbënguljen franceze për të ndjekur në BE një politikë të jashtme të ndryshme nga ajo e frymëzuar prej Gjermanisë. Fillimisht me këmbënguljen e Macronit, Rusia fitoi së fundi të drejtën e votës në Këshillin e Evropës në Strasburg. Pas kësaj, pa u konsultuar me gjermanët, Macroni dërgoi në Moskë ministrat e tij të jashtëm dhe atë të mbrojtjes. Synimi i shpallur: për të nisur bashkëpunim të ri sigurie (të BE!) me Rusinë.

Argumenti i Macronit është që Rusia ndodhet në Evropë dhe Evropa nuk ka interes ta lërë Rusinë të thellohet në afrimin e nisur me Kinën. Për këtë, thotë Macroni, duhet rimenduar me vetëkritikë politika evropiane ndaj Rusisë, nisur nga ngjarjet rreth Ukrainës.

Parimisht edhe Gjermania nuk është e mbyllur ndaj gjetjes së rrugëve për shtensionim marrëdhëniesh me Rusinë. Por këtë e pengon fakti se nuk ka ndryshim në politikën ruse, sidomos ndaj Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë. Kështu që heqja e sanksioneve të BE ndaj Rusisë për momentin nuk vjen në diskutim. Këtë hap e kundërshton jo vetëm Gjermania, por në radhë të parë shtetet lindore të BE. Vlerësimi demonstrativ që Macroni dhe kryeministri hungarez Viktor Orban (gjithashtu ithtar i afrimit me Rusinë) i bëjnë së fundi njëri-tjetrit, nuk ndikon aspak për ta afruar Macronin me shtetet e tjera lindore.

Macroni është i vetmuar, konstatonte javët e fundit një analist i New York Times. Me padurimin e tij, ai ka lënduar jo vetëm lindorët, por edhe Gjermaninë./DW

Top Channel