Kjo ishte hera e fundit për Besnik Mucin, i shkarkuar me vendim të formës së prerë , i cili ngjiti shkallët e kushtetueses me mendimin se ai mund të qëndronte ende në detyrë, duke u kapur pas procedurës së mandatit.

E ndërsa këmbënguli se KPA nuk ka efekt për shkarkimin e tij, në kërkesën e dorëzuar Muçi pretendon se mbarimin e mandatit e shpreh me vendim, Gjykata Kushtetuese.

Një argument ky që mund të merrej në konsideratë në lexim të plotë të ligjit, vetëm nëse ish prokurori do ta kishte fituar mandatin si gjyqtar kushtetues nëse do të kishte kaluar provimin e vettingut , tek i cili ngeli për shkak të pasurive.
Menjëherë pas kësaj kërkese që për juristët është e pabazuar pasi vendimi i Kolegjit të Apelimit është i formës së prerë për çdo protagonist të drejtësisë, reagoi edhe presidenti. Si fillim presidenti Meta e ftoi Besnik Mucin që të rishikonte qëndrimin e tij, duke e bërë të qartë se nuk ishte dakord me reagimin e ish gjyqtarit kushtetues, të cilin vetë presidenti e dekretoi në këtë detyrë në 15 nëntor.

Por ndërsa zyra e shtypit e presidentit tregoi se presidenti ishte në pritje të njoftimit të Gjykatës Kushtetuese për rishpallje të vakancës, Gjykata Kushtetuese e la presidentin të presë vetëm 30 minuta. Veç njoftimit me numër protokolli 387 , Gjykata Kushtetuese e hoqi nga website fotografinë e Besnik Mucit, duke iu bindur kushtetutës që thotë se çdo vendim i KPA është i formës së prerë për këdo. Kaq ka mjaftuar që presidenti të dekretojë çeljen e vakancës së parakohshme të krijuar nga përfundimi para kohe i mandatit të ish gjyqtarit Muci.

Ky dekret i referohet edhe vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që e shkarkoi Muçin, ndonëse zëdhënësi i presidentit e komentoi këtë verdikt me frazën “zero surprizë nga vettingu i partisë”.

Anila Hoxha

Top Channel