Për herë të parë vendet e Bashkimit Evropian, veçanërisht Gjermania mbetet shteti që ka eksportuar më së shumti në Kosovë që nga koha e vendosjes së taksës ndaj mallrave të Serbisë.

Sot mbushen një vit nga hyrja në fuqi e vendimit për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, gjë e cila pati një efekt të jashtëzakonshëm në bilancin tregtar.

Derisa para një viti Kosova kishte importuar mallra nga Serbia në vlerë rreth 450 milionë euro, që prej vendosjes së taksës, në vendin tonë janë importuar vetëm 3 milionë euro nga ky shtet.

Edhe pse kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj po lavdërohet për vendimin e tij karshi Serbisë, njohës të ekonomisë thonë se Kosova nuk përfitoi në aspektin politik dhe as ekonomik.

Të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës tregojnë se Kosova ka importuar nga Serbia vetëm 3.3 milionë euro në këtë periudhë, derisa kohë më parë brenda një viti janë importuar rreth 450 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës thotë për KosovaPress se taksa ka ndikuar që për herë të parë Kosova të ketë një bilanc tregtar pozitiv me Serbinë, ku arriti të eksportojë 12 milionë euro produkte në këtë shtet.

Stavileci shton se taksa e bëri Gjermaninë të jetë shteti në listën e parë nga ku janë importuar më së shumti mallra prej Kosovës.

Top Channel