Bashkimit Europian nuk “i ka vdekur truri” për zgjerimin; me këtë deklaratë, ministrja e jashtme finlandeze Tytti Tuppurainen iu përgjigj propozimit të fundit francez, duke përdorur të njëjtën shprehje me të cilën Emmanuel Macron iu referua NATO-s, e shkaktoi mjaft reagime.

Vendet e bllokut patën reagime të ndryshme ndaj idesë së hedhur nga shefi i Elizesë gjatë bisedimeve paraprake në Bruksel. Disa ishin më pozitive, të tjera më të kujdesshme, sqaroi Tytti Tuppurainen, vendi i së cilës mban presidencën e radhës së bllokut. Kryeqytete europiane duhet për cdo rast të presin që të nisë nga puna Komisioni i ri Europian përpara se ti ngarkojnë detyrën e hartimit të ndonjë ndryshimi. Komisioni duhet të ishte zyrtarizuar që në 1 nëntor, por ka pasur vonesa për shkak se eurodeputetet refuzuan tre kandidatura për komisionere.

“Nuk është se nuk po bëjmë asgjë për zgjerimin. Se të mos bësh asgjë, do të thotë të mos e kishim këtë temë në agjendën tonë, por ne këtu sigurisht, diçka po bëjmë, nuk na ka vdekur truri. Të 28 vendet e BE-së shprehën të martën përkushtimin e tyre ndaj perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit perëndimor, dhe kjo tregon se Europa nuk është në ngërç për këtë çështje”, ka thënë ministrja Tytti Tuppurainen.

Nga ana e saj, ministrja franceze e çështjeve të BE, Amélie de Montchalin, tha se Danimarka dhe Hollanda ishin “shumë afër” me të menduarit e Francës, e sipas saj, me këtë ide konvergojnë gjithashtu edhe Austria, Republika Ceke, Italia, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia. Montachalin sqaroi nga ana tjetër se debate mbi reformën nuk nënkupton se bisedimet e anëtarësimit të Serbisë dhe malit të Zi, të cilat kanë nisur tashmë, janë jolegjitime.

Top Channel