Prokuroria e Krimeve të Rënda më në fund ia doli mbanë të shpallë pretencën për Arbër Cekajn , Armando Pezakun dhe Donaldo Lushajn.

Për Cekajn, prokuroria kërkoi në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimin e tij me 14 vite burgim. Prokurori kërkoi që sasia më e madhe e kokainës e kapur deri më sot në vendin tonë të mos asgjësohet derisa të përfundojnë hetimet edhe për pjesën tjetër të të hetuarve, duke qenë se akuza ka vërtetuar që destinacioni i parë i ngarkesës ishte në Maminas, por nuk është zbuluar se kush ishin pritësit dhe destinacioni përfundimtar.

Cekaj shikohet si një nga organizatorët e këtij trafiku, megjithëse ai hodhi akuza ndaj prokurorisë duke e konsideruar si komploteiste, pasi kishte shmangur hetimet ndaj një grupi të fuqishëm, emrin e të cilit nuk e tha.

Megjithatë prokuroria këmbëngul se i kishte bërë ftesë për bashkëpunim Arbër Cekajt, i cili nuk e konsideron veten një trafikant por një biznesmen bananesh. Prokuroria kundërshton fort këtë qëndrim duke i kujtuar përgjimet Arbër Cekajt, në të cilat ai shfaqet i shqetësuar dhe flet për antinarkotikun. Në datën pesë dhjetor Mbrojtja do të thotë fjalën e saj për tre të akuzuarit , që janë të vetmit që kanë dalë para drejtësisë deri më tani, përsa i takon rrjetit të trafikantëve që solli kokainë nga Kolumbia në Shqipëri.

Anila Hoxha

Top Channel