Silikon Mix, pesticidi i kamufluar si pleh futej në vendin tonë me urdhër të ish-ministrit të bujqësisë Niko Peleshi. Top Channel prej më shumë se një viti ka thënë se kimikati Silicon Mix nuk është pleh por insekticid.

Këtë të vërtetë sot e thonë fermerët e Lushnjës, për ta ai është insekticidi i pazëvendësueshëm pasi ishte luftuesi më i mirë i krimbit të domates. Kjo që shihni në ekran është sera e Kastriot Hoxhës, domatet e këtij sezoni janë pushtuar nga tuta absolute, ai thotë që nëse kjo serë do të spërkatej me silikon 2 herë krimbi do të ngordhte.

GAZETARJA: Kastriot shoh që domaten e ka zënë një sëmundje, cila është kjo sëmundje?

FERMERI: Kjo është tuta e domates ose krimbi i domates më përpara ne e kemi spërkatur me silikon mix-in bënte shumë punë. Tani është hequr si preparat, e kemi zëvendësuar por nuk japin shumë rezultate të mira.

GAZETARJA: Ndërsa silikoni?

FERMERI: Silikoni ishte më efektiv në rast se tani duhet ta spërkasim domaten 7 herë më një tjetër preparat, me silikonin mjaftonte dy herë dhe mbyllej cikli.

GAZETARJA: Me çfarë e ke zëvendësuar atë pesticid?

FERMERI: Me shumë por asnjëri nuk i afrohet atij pesticidi.

Sezonin e parë Besniku serat e tij i kish mbjellë me domate, të cilat herë pas herë prekeshin nga tuta absolute,ai na thotë se cili ishte kimikati më i mirë për këtë sëmundje.

FERMERI 2 : Ne fillimisht kishim silikonin, pastaj filluam me ato të tjerat por nuk japin rendimetin e duhur siç ishte silikoni.

GAZETARJA: Silikoni e luftonte menjëherë sëmundjen?

FERMERI 2 : Po ishte jashtëzakonisht i mirë.

GAZETARJA: Po pesticidet e tjera?

FERMERI 2 : Bën tre herë dhe nuk japin efektin e duhur.

Nga këto të vërteta mësojmë se Silikon Miksi është vrasësh insektesh dhe jo pleh, por ende nuk e dimë se cila është lënda aktive e këtij kimikati që janë spërkatur serat e fermerëve tanë.

Top Channel