Rusia ka riatdhesuar 32 fëmijë të tjerë të anëtarëve të Shtetit Islamik nga Iraku. Televizioni shtetëror rus tregoi pamjet e fëmijëve që mbërritën në aeroportin Zhukovsky, në periferi të Moskës, duke sqaruar se bëhet fjalë për të mitur të moshave nga 1 deri në 9 vjeç.

Ata do t`i nënshtrohen kontrolleve të kujdesshme mjekësore përpara se të afërmit t’i çojnë në shtëpi.

Ministria e Jashtme e Rusisë sqaroi që fëmijët ishin mbajtur në qendrat e azilit në Irak, apo edhe në burgje të këtij vendi ku një pjesë kanë qenë bashkë me nënat e tyre. Ky është grupi I katërt të fëmijëve rusë që riatdhesohen nga Iraku.

Ministria e Jashtme tha se gjithsej në shtëpi janë sjellë 122 fëmijë. Sipas presidentit presidentit Vladimir putin, 4,000 qytetarë rusë dhe rreth 5,000 qytetarë të vendeve të tjera ish-Sovjetike iu bashkuan grupit të dhunshëm xhihadist shteti islamik në Siri dhe Irak. Muajin e kaluar ndërkohë, gratë ruse që mbahen në kampet e familjarëve të ISIS-it kontrolluara prej kurdëve në Siri, i drejtuan Putinit një apel emocional për t`i ndihmuar të kthehen në shtëpi.

Gratë i referoheshin dy kampeve të ndryshme, Al-Holit në veri-lindje të Sirisë dhe Ain Issa pranë kufirit turk, duke këmbëngulur se nuk e mbështesin Shtetin Islamik, por druhen nga të tjerat që janë ende përkrahëse të zjarrta të ideologjisë së kësaj organizate, të cilat i përshkruanin si shumë “agresive“. Një nga gratë dëgjohej në një regjistrim duke qare, ndërsa pyeste: “Përse është kaq e vështirë që të na largoni prej këtej”?

Irida Vasia

Top Channel