Lleshaj në Forumin Ministerial BE-Ballkani Perëndimor: Rritje të migrantëve të parregullt që përdorin Shqipërinë si vend tranzit

19/11/2019 13:54

Ministri Lleshaj mori pjesë në Forumin Ministerial BE-Ballkani Perëndimor, “Për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme”, në të cilin u diskutuan tema të rëndësishme, si lufta kundër krimit të organizuar, flukset migratore, lufta kundër terrorizmit, siguria kufitare, lufta kundër trafikut të qenieve njerzore dhe të armëve, etj.

Ky takim u organizua nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Presidencën finlandeze të BE-së dhe me Komisionerët e BE-së për punët e brendshme dhe drejtësinë.

Pjesëmarrës, veç organizatorëve, ishin delegacionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, Komisionerët e BE-së Avramopoulos dhe Vera Chorova (për Drejtësinë), ministrat e Drejtësisë dhe të Brendshëm të Finlandës, si dhe përfaqësues nga Këshilli i Europës, Eurojust, Europol, Komisioni i Venecias, etj..

Punimet e Forumit u zhvilluan në tre sesione pune, ku u diskutuan përkatësisht çështjet e migracionit, sigurisë së kufijve, bashkëpunimit me Frontex, lufta e përbashkët kundër terrorizmit dhe për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të qenieve në njerzore, drogave dhe armëve.

Ministri Lleshaj, në fjalën e tij për çështjet e migracionit, pasi vuri në dukje masat e marra nga vendi ynë, nënvizoi se numri i migrantëve që kanë hyrë në vendin tonë ka ardhur në rritje nga viti në vit.

“Ne po vërejmë dita-ditës një tendencë në rritje të migrantëve të parregullt që përdorin Shqipërinë si një vend tranzit, me qëllim që të kalojnë në BE. Gjatë periudhës janar-tetor 2019, rreth 5300 shtetas kanë aplikuar për azil, ose 50%, më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit 2018”.

Lleshaj u shpreh se vendi ynë ka rritur nivelin e bashkëpunimit si me vendet fqinje, ashtu edhe me strukturat e BE-së.
Në sesionin e dytë, për terrorizmin, ai nënvizoi përpjekjet e Shqipërisë për t’i bërë ballë fenomenit, qoftë përmes aprovimit të ligjeve të reja, si edhe përmes strukturave të posaçme ligjzbatuese.

Ministri vuri në dukje bashkëpunimin e Shqipërisë me koalicionin kundër terrorizmit dhe kontributin e saj në zona të konfliktit.

“Shkëmbimi i dendur i informacionit dhe bashkëpunimi policor janë instrumente themelore kundër terrorizimit. Shqipëria ka nënshkruar 21 marrëveshje ndërkombëtare dhe protokolle bashkëpunimi anti-terrorizëm me vendet e Ballkanit Perëndimor, vendet anëtare të BE, SHBA etj.

Për shembull, pothuaj 70% e operacioneve policore që lidhen me terrorizmin janë zhvilluar në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, 9 prej 13 operacioneve.

Më tej, ministri Lleshaj u ndal në përpjekjet e vendit tonë për të riatdhesuar fëmijët dhe gratë që ndodhet në kampet në zonën e konfliktit.

Për luftën dhe rezultatet kundër krimit të organizuar, ministri Lleshaj, pasi bëri një paraqitje të shkurtër në shifra, theksoi se “sfidat ndaj sigurisë, të tilla si krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe qenieve njerëzore nuk njohin kufij, kështu që një përgjigje rajonale dhe europiane kundër këtyre rreziqeve, duhet të jetë një objektiv dhe një sfidë për të gjithë ne.

Nën këtë frymë ne kemi ngritur 4 skuadra të përbashkëta hetimore, 3 me partnerët italianë, të mbështetur nga Programi IPA dhe 1 me partnerët gjermanë për krimet që kanë të bëjnë me përfshirjen në grupe kriminale dhe trafikun e drogës.

Me synimin e luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar, ne kemi ngritur skuadrën FAST në Shqipëri dhe presim që të jemi anëtarë vëzhgues me të gjitha të drejtat në ENFAST në 2020. Që kjo të jetë plotësisht operacionale po bëhen trajnim dhe përgatitje me mbështetjen e partnerëve tanë europiane”.

Ministri i Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski falënderoi pjesëmarrësit për kontributet dhe theksoi se vendi i tij ka synim të pandryshueshëm integrimin në BE.

Ministrja e Brendshme e Finlandës Maria Ohisalo nënvizoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të lartë strategjike për BE-në, duke nënvizuar njëherësh edhe mbështetjen e vendit të saj.

Komisioneri Avramopoulos u shpreh në terma të ngjashme duke thënë se “qëllimi është ta shohim këtë rajon si pjesë të BE-së. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të mbështesim Ballkanin Perëndimor, për t’u bashkuar BE-së”.

Në Forum u diskutua gjithashtu edhe për prioritetet që do të ndiqen gjatë Presidencës së ardhshme kroate, të Këshillit të Europës.

Top Channel