Festival folklorik në New York/ Këngë e valle shqiptare në edicionin e 29-të

19/11/2019 12:53

Edhe pse larg vendlindjes, komuniteti shqiptar në Nju Jork ruan me fanatizëm vlerat e kombit. Dëshmi për këtë është festivali shqiptar në këtë qytet amerikan, që çdo vit për gati tre dekada sjell këngë e valle folklorike.

Festivali i 29 shqiptar në Nju Jork, solli një program të pasur kulturor. Ky aktivitet synon të ruajë traditat dhe vlerat artistike të kombit, nëpërmjet këngëve dhe valleve folklorike të interpretuara nga artistë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Në skenë u ngjitën artistë shqiptarë që u përkasin tre brezave të ndryshëm.

I pranishëm në festival ishte edhe një ftuar i veçantë. Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engël, i cili garantoi se do të vazhdojë kontributin për komunitetin shqiptar. Ndërsa anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, kërkoi nga komuniteti shqiptar në Amerikë që të mos kursehet ndihma për vendlindjen.

Për vetë pjesëmarrësit në festival, evente si ky duhet të shërbejnë për të mbajtur gjallë kulturën e kombit shqiptar, në mënyrë që ajo të mos harrohet kurrë.

Festivali i 29 shqiptar, iu kushtua figurës së Ismail Qemalit.

Aktiviteti i organizuar nga qendra kulturore “Nënë Tereza” e Kishës Zoja e Shkodrës, është një nga shumë veprimtaritë për nder të 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Top Channel