QNR hedh poshtë pretendimet për manipulime: Rinumërimi mbyllet për 8 ditë

18/11/2019 17:17

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri tani janë numëruar 43 për qind e vendvotimeve të cilat me vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u urdhëruan të shkojnë në rinumërim.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmteaj ka mohuar edhe akuzat për manipulime të hedhura nga analistë politikë pas vendimit që të rinumërohen vetëm 1428 vendvotime nga 1472 sa ishte marrë vendim nga PZAP. Sipas tij, deri pasditen e sotme janë rinumëruar 605 vendvotime dhe se me këtë dinamikë të punës u duhen edhe 7 deri në 8 ditë për të përfunduar procesi i rinumërimit të 1428 vendvotimeve.

“Deri në këto momente kur po flasim janë rinumëruar 605 vendvotime prej tyre në përqindje janë 43 përqind e vendvotimeve. Gjatë ditës së sotme me ndërrimin e parë kemi vendvotime të cilat do të rinumërohen dhe ndërrimin e dytë do vazhdojmë sepse kemi përparim në aspektin e procesit të rinumërimit…Përderisa jemi në ditën e gjashtë dhe gjatë tërë ditës së sotme do kemi proces të rinumërimit deri në fund të ditës do mund të afrohemi deri 47 për qind konsiderojmë se që edhe pjesa tjetër e mbetur do të mund të përfundoj në afatin e njëjtë sikurse në këtë pjesën e parë të vendvotimeve. Do të na duhen të paktën edhe 7 ditë apo 8 deri në kompletim të këtij procesi”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj shtoi se QNR ka kapacitete të mjaftueshme për të përfunduar me kohën e paraparë procesin e rinumërimit. E lidhur me vendvotimet që me vendim të PZAP-së fillimisht u vendos që të rinumërohen 1472 vendvotime e më pastaj u tha se do rinumërohen vetëm 1428 të tilla, dyshime për manipulim nga ana e PZAP-së po hedh analisti politik, Ramush Tahiri.

Sipas tij krahas vendimit të PZAP duhet të veprojnë institucionet përgjegjëse.

Top Channel