Tre kryeministra dolën në podium në një hotel me pesë yje në Londër këtë javë, për ti ofruar njerëzve më të pasur të botës, pasaporta të arta dhe shtetësinë e vendeve të tyre në këmbim të qindra e mijëra paundëve investime ose kontributeve.

Allen Chastanet, kryeministër i ishullit të Karaibeve Shën Lucia, i tha 300 pjesëtarëve të elitës super të pasur dhe këshilltarëve të tyre të mbledhur për konferencën globale të shtetësisë, se misioni ekonomik i vendit të tij kërkonte individë me pasuri të mëdha dhe mund tu japë atyre një vend konfort për të jetuar… Ai premtoi se në këmbim të 100 mijë dollarëve kontribute në fondin ekonomik kombëtar, aplikantët mund të marrin shtetësinë e Shën Lucias, brenda vetëm tre muajsh.

Me të vjen edhe e ashtuquajtura pasaportë e artë që mundëson udhëtim pa viza në 145 shtete përfshirë Britaninë, zonën Shengen, Hong-Kongun e Singaporin. Në shitje të shtetësisë në konferencë ishin edhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi, një ministër maltez, një ambasador nga Antigua and Barbuda dhe përfaqësues të Qipros.

Për Vera Jourova, zëvendëspresidenten në ardhje të Komisionit Evropian, skemat e shtetësisë ngrenë një numër shqetësimesh. Dhënia e shtetësisë përbën një rrezik serioz sigurisë sepse garanton të gjitha të drejtat e qytetarëve të BE dhe lejon lëvizjen lirshëm në union. BE nuk duhet të bëhet një parajsë për kriminelët, korrupsionin dhe paratë e pista – tha ajo.

Eventi tre ditor, një biletë për të cilin kushtonte 1500 stërlina u organizua nga Henley and Partners, një kompani me bazë në Londër që vepron si ndërmjetëse mes super të pasurve dhe vendeve që shesin shtetësitë e tyre. Henley ka bërë dhjetëra milionë dollarë në komisione nga shitja e shtetësisë. Tregtia është e ligjshme dhe Henley nuk akuzohet për asnjë lloj shkeljeje. Qipro që kërkon një investim prej të paktën 2 milionë eurosh, i dha shtetësinë një biznesmeni malajzian në kërkim, në qendër të skandalit që njihet si 1MDB. Vendi ishullor është anëtar i BE dhe i jep shtetasve të vet akses në të gjithë bllokun. Ai ka bërë rreth 6 miliardë euro duke lëshuar rreth 4 mijë pasaporta që kur skema u prezantua në 2013. Malta, që po ashtu është shtet anëtar i BE i ka shitur shtetësinë pesë personave të akuzuar për krime jashtë vendit.

Kryeministrit të Shën Lucias iu bashkuan në skenën e hotelit Rosewood, ku dhomat mund të kushtojnë më shumë se 2 mijë stërlina nata, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe Dusko Markovic, kryeministër i Malit të Zi.

Rama lancoi programin e Shqipërisë “shtetësi përmes investimit” në një konferencë duke premtuar një taksë pushimesh 10 vjecare. Ai i kujtoi delegatëve se Shqipëria është një vend kandidat zyrtar për anëtarësim në BE, çka mund ti japë shtetasve të rinj të drejtën të jetojnë dhe punojnë në bllok.
“Unë e di se ka debate për këtë lloj programi”, tha Rama.

“Në të njëjtën kohë unë besoj fuqimisht se kjo është mënyra e duhur dhe se kjo është ajo që ne duhet të bëjmë. Ka sigurisht rreziqe, por ne nuk mund ti mohojmë vendit tonë dhe të ardhmes sonë, potencialin e jashtëzakonshëm të këtij programi”.

Markovic në anën tjetër tha se ofronte 2 mijë shtetësi malazeze në këmbim të një kontributi individual 100 mijë eurosh për arkat e qeverisë dhe një investim në prona prej të paktën 250 mijë eurosh. Qeveria malazeze tha se individët do të mund të merrnin shtetësinë vetëm pas kontrolleve të sigurisë.

Ekspertët thonë se ka të dhëna në rritje se elitat e korruptuara i përdorin Vizat e arta për të fituar rezidencë dhe shtetësi në Evropë. Shitja e shpejtë e shtetësive ka përfitime ekonomike të dyshimta ndërsa i hap derën atyre që i kanë xhepat plot dhe një të kaluar për tu fshehur.

Top Channel