Reja: Të mësojmë nga gabimet/ Hysaj premton një ndeshje të veçantë me Francën

16/11/2019 19:36

Kombëtarja shqiptare mbyll kualifikueset e Euro 2020 me sfidën ndaj Francës që do të luhet në Air Albania Stadium dhe që do të transmetohet në platformën Digitalb.

Sipas trajnerit Reja për kuqezinjtë është e rëndësishme që në këtë ndeshje të mësojnë nga gabimet e bëra ndaj Andorrës.

“Kur hyn në fushën e lojës duhet të mendosh për fitoren cilëndo skuadër ke përpara. me Andorrën gabuam dhe ishte më shumë gabim psikologjik. Është mirë të harrojmë këtë ndeshje por duhet të mendojmë edhe këtë që Andorra nuk shënonte prej 9 vitesh dhe ndaj nesh shënoi 2 gola. Ndaj Francës motivimi është i madh duke marrë parasysh edhe nivelin e skuadrës e për më tepër Franca nuk mbyllet si Andorra. na lejon të dalim në lojën tonë dhe disa raste do t’i kemi edhe ne që  duhet t’i shfrytëzojmë”, u shpreh Edoardo Reja, trajner i Kombëtares.

Reja theksoi se skuadra e tij pavarësisht mungesave që ka lojtarë që mund t’i zëvendësojë.

“Kemi kemi, 4 lojtarë janë të padisponueshëm. Cikalleshi, Abrashi, Xhaka, por kemi një skuadër me lojtarë që janë të barabartë në vlere. Ndaj Francës do të jetë e vështirë, është një skuadër e fortë por jo gjithnjë fiton më i forti. duhet të përdorim jo vetëm zemrën, por edhe trurin sepse duhet të tregohemi inteligjentë për t’u përballur me skuadra të tilla”, tha Reja.

Përkrah trajnerit Reja, në konferencën për shtyp ishte kapiteni Elseid Hysaj që theksoi se skuadra duhet të respektojë stadiumin e ri

“Ndaj Andorrës hymë me një mentalitet të ulët. duhet të kishin hyre me më shumë forcë me më shumë agresivitet. E kuptuam këtë gabim dhe në ndeshjen me Francën do të hyjmë me një mentalitet  tjetër. do jetë një ndeshje e veçantë, pasi nuk e kemi ëndërruar një stadium të tillë. Do të mundohemi ta respektojmë këtë stadium me një ndeshje të mirë dhe ndoshta edhe me një fitore”, deklaroi Elseid Hysaj, futbollist i Kombëtares.

 

 

Top Channel