Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka hyrë në muajin e dytë që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 6 tetor dhe nuk është gati për të certifikuar rezultatet përfundimtare të shpallura javën që kaloi.

Tashmë me vendimin e PZAP-it, për rinumërimin e 1428 vendvotimeve të tjera, mund të mos ketë certifikim deri në dhjetor, si pasojë edhe vonim të konstituimit të institucioneve të reja. Kështu, Kosova del e para në rajon për stërzgjatje të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore. Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi për zgjedhjet nuk janë vonuar as një muaj për shpalljen e rezultateve dhe certifikimin e tyre. Pedagogu Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress, se në bazë të përvojave të deri tanishme, fatkeqësisht procesi zgjedhor ka marrë tatëpjetën dhe kjo shoqërohet edhe me një kosto financiare.

“Të gjithë ato veprime që ishin plotësisht me standardet demokratike evropiane dhe botërore, tani sikur procesi ka marrë një teposhtëze ose një zvarritje të pa imagjinuar, e cila po shkakton edhe pakënaqësi te qytetarët, sidomos te elektorati i cili ka votuar për ndryshime.”

Por zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, thotë se vonesa është e justifikuar për shkak të specifikave të procesit zgjedhor.

Elezi: Çdo vend ka specifikat e veta për zgjedhjet

… për të ardhur deri tek shpallja e rezultatit përfundimtar, KQZ-së i duhet të kaloj nëpër disa procedura… Në këtë drejtim kemi pasur me qindra vendvotime që është dashur t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit, sepse në këtë rast rinumërimi ka qenë i domosdoshme

Zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, dhe procesi në vijim, morën fillimisht jo pak lëvdata, por vonesa e certifikimit të rezultatit, duket se e ka cënuar sadopak imazhin.

Top Channel