Që në fillim të sfidës së sotme, Vjonisi është përballur me shef Renaton. Ky i fundit e ka kritikuar atë për zierjen e tepërt të makaronave duke i kërkuar t’i heqë ato menjëherë nga zjarri, por Vjonisi nuk e ka dëgjuar duke i thënë se duhet të ziejnë edhe pak. Shefi e ka cilësuar këtë si një gabim fatal pasi deri në momentin që pjata do të servirej ato do të zbuteshin edhe më tepër.

Ata kanë debatuar përsëri kur Vjonisi ka çuar para shef Renatos pjatën e tij. Në të ai kishte hedhur një sasi të madhe makaronash, ndryshe nga ç’kërkon gjithnjë shefi, një sasi sa për të degustuar.

Ndoshta, kjo nuk ka qenë dita e tij me fat pasi edhe në sfidën e restorantit, Vjonisi është përballur menjëherë me shef Renaton sepse në tasin ku kishte ndarë të bardhat e vezëve kishte lëvozhga. Kjo ka sjellë reagimin e tij por ende pa pasoja, pasi më e keqja do të vinte pak minuta më pas, kur shefi do të kërkonte të provonte kremin e ëmbëlsirës “Limon Pie”, të cilin do ta pështynte menjëherë sapo ta provonte.

Ai do të kërkonte edhe mendimin e liderit të skuadrës blu, Sokolit. Por, edhe Sokoli do të ndante të njëjtin mendim: kremi ishte shumë i thartë e kishte më shumë limon se sa duhej. Por Vjonisi e kundërshtoi me kokëfortësi këtë fakt, duke ia ngritur kështu edhe më fort nervin shef Renatos, deri në momentin kur ia hodhi kremin turinjve.

Debatet vazhduan mes palëve deri në pikën më të lartë të vlimit kur shef Renato i tha: “ik o gomar”, Vjonisit ndërsa ky ja kthyeu me të njëjten resto: “gomar je vetë”. Një përplasje e tillë, një thyerje e tillë rregulli përfundoi në përjashtimin e menjëhershëm të Vjonisit. Në Hell’s Kitchen shefi ka gjithmonë të drejtë!

Top Channel