Në sfidën e parë ku konkurrentët përballen kokë më kokë, vajzat ishin në disavantazh numerik pasi ishin një më pak se djemtë.

Kështu ato duhet të punonin shumë për të arritur fitoren, por shef Renato u ofroi një zgjidhje më të thjeshtë. Ai solli në Hell’s Kitchen një tjetër konkurrente, Albinën. Kështu të dyja skuadrat do të ishin të barabarta në numër, pesë kundër pesë.
Me sa duket, ardhja e një konkurrenti të ri nuk mirëpritet nga të vjetërit, pasi me Albinën ata u sollën njëlloj si me Sokolin duke e sulmuar që në fjalët e para. Madje, nuk u mjaftuan vetëm me fjalë por vajzat nuk e linin as të përdorte vatrat duke i thënë se ishin të zëna. Në debat e sipër me Visarën për një nga vatrat Albina dogji edhe dorën. Ndërsa Marsela, pasi e paralajmëroi se nëse nuk e hiqte tiganin do t’ja hidhte atë, bëri pikërisht kështu. Rizoto e Albinës përfundoi në tokë pasi ajo nuk pranoi ta hiqte atë nga zjarri e t’i lironte vendin Marselës.

Ndryshe është sjellë Sokoli, i cili e kishte parë veten e tij në vendin e Albinës e u mundua ta priste atë ndryshe nga të tjerët. Ai liroi vatrën e tij për të por kjo e ka nxehur shef Renaton sepse vajzat nuk duhet të gatuanin në pjesën blu të kuzhinës dhe ka bërë që tigani i Sokolit të përfundojë në tokë vetëm pak sekonda para se pjata e tij të ishte gati.

Albina erdhi e bindur e me vetëbesim në Hell’s Kitchën por siç duket nuk do të jetë aspak e lehtë për të.

Pak para se të niste sfida e Restorantit, konkurrentët kanë marrë edhe një lajm tjetër të rëndësishëm teksa pushonin në dhomën e ndenjes. Në ekranin që ndodhej aty, janë shfaqur dy djem të cilët kishin ardhur nga jashtë vendit posaçërisht për Hell’s Kitchen, Selmani dhe Meridiani.

Selmani erdhi nga Anglia, me një eksperiencë pesë vjeçare në kuzhinë i bindur se do të mund t’ja dalë në kuzhinën e ferrit. Ai aktualisht punon si sous chef në restorantin e dasmave “Galloping Gourmet Wasing Park” në Reading të Londrës.

Meridiani, në dukje një djalë i qeshur, por që menjëherë u hodh në sulm pasi u shpreh se ka ardhur të hedhë helmin e tij në kuzhinën e ferrit, nisur edhe nga mbiemri i tij, Helmi. Ai ka punuar në Greqi e Gjermani duke ndjekur gjurmët e të vëllait, por tani kërkon që të shkëputet e të ndjekë rrugën e tij. Për ta arritur këtë ai synon të arrijë shumë në Hell’s Kitchen.

Fati i këtyre dy konkurrentëve ra në dorën e Marselës, pasi ishte ajo që zgjodhi në mënyrë rastësore, duke trazuar goglat, se cili prej tyre do t’i bashkohej skuadrës së kuqe. Vajzave ju bashkua Selmani, ndërsa Meridiani shkoi tek djemte.
Konkurrentët e tjerë kishin fituar siguri duke arritur deri këtu, por me ardhjen e tre konkurrentëve të rinj tensioni është shtuar. A do t’ja dalin ata të përshtaten me njëri-tjetrin. Cilët do të jenë më të fortë, të rinjtë me energji të reja apo të vjetrit me sigurinë e eksperiencën e tyrë në këtë kuzhinë? Kjo mbetet për tu parë në javët në vijim.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel