Raportuesi i parlamentit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Peter Beyer, u zgjodh të enjten dhe raportues i Këshillit të Europës për Kosovën.

Ambasadori i saj në Berlin, Beqë Cufaj e cilësoi menjëherë këtë një lajm shumë të mirë.

“Peter Beyer është një njohës i Kosovës dhe Ballkanit, por edhe me lidhje shumë të forta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emërimi i tij do të sjellë raporte më të diferencuara për Kosovën në Këshillin e Evropës”, tha për DW Cufaj, i cili e njeh deputetin gjerman edhe nga aktivitetet e tij të shumta në Berlin.

Deputeti kristdemokrat, i cili qysh në vitin 2009 është raportues për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut, e njeh Kosovën jo vetëm nga takimet e zyrave në Prishtinë dhe Berlin. Në shtator ai ishte sërish në Podujevë për të mbështetur binjakëzimin e qytetit verilindor të Kosovës me një nga qytetet e zonës së tij, Velbert.

Ai është një nga përkrahësit e hershëm të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës dhe mbrojtësit më energjikë të integritetit territorial të Kosovës. Në intervista dhe fjalime të ndryshme është shprehur gjithmonë kundër tezës së ndryshimit të kufijve dhe ka bërë thirrje thuajse në çdo fjalim të mbajtur në Bundestag për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet ende refuzuese të BE-së. Ai e fitoi garën për raportues për Kosovën në Këshillin Europës duke sfiduar konkurrentin e tij rus, Aleksey Kondratjev, i cili ende e trajton Kosovën si pjesë të Serbisë.

Top Channel