Një hetim i Kombeve të Bashkuara për dhjetëra sulme ajrore në spitalet në Siri është kufizuar në shtatë vende, tregon një dokument i brendshëm i OKB-së, ku mediat amerikane raportojnë se Rusia po ushtronte presion për t’i mbajtur të fshehta gjetjet.

Bordi i hetimit, i ngritur në gusht nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, po heton vendet humanitare në veriperëndim të Sirisë, që u shkatërruan ose u dëmtuan si rezultat i operacioneve ushtarake që nga shtatori i vitit të kaluar. Një zëdhënës i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, deklaroi se janë goditur të paktën 61 spitale që nga muaji prill.

Por një dokument i brendshëm, i parë nga DPA, rendit vetëm shtatë vende në të cilat është përqendruar hetimi, përfshirë një shkollë, një kamp refugjatësh dhe spitale. Sipas një raporti në gazetën “New York Times”, diplomatët thonë se Rusia po i bënte presion Guterres-it që të mos i publikonte konkluzionet e hetimit.

Top Channel