Elseid Hysaj luajti 45-minutëshin e dytë në ndeshjen ndaj Andorrës, ku Shqipëria nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2, ndërsa në intervistën e dhënë për “Kuqezi” në Supersport, kapiteni i kuqezinjve pranoi se skuadra e mori lehtë takimin.

Çfarë mund të kishim bërë për të shmangur këtë hap fals?

Duhet të ishim më të fortë nga ana e mentalitetit në fushë dhe të vazhdonim lojën ashtu si e nisëm. Mendoj se e morëm disi lehtë dhe u ndëshkuam në dy momente, duke mos arritur më pas të përmbysim rezultatin.

Çfarë duhet të bëjmë për të shmangur këto gabime ndaj Francës?

Ajo do të jetë një ndeshje tjetër, pasi të gjithë lojtarët mezi e presin dhe janë gati të luajnë me përqendrim e të japin më të mirën. Vetë kundërshtari të jep një tjetër motivim dhe jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje tjetër.

Te goli i dytë asnjëri prej mbrojtësve nuk arriti të bllokojë kundërshtarin, ndonëse ai ju dha shumë kohë duke vonuar gjuajtjen…

Ishte një moment kundërkohë, pasi ishim nisur drejt portës, por mund ta zgjidhnim më mirë, pasi kundërshtari vonoi në gjuajtje. Megjithatë topi mori edhe një devijim të pafat nga Ramadani dhe u ndal në trekëndësh.

Top Channel