Në Fiks Fare mbërrin një ankesë nga disa banorë të fshatit Gjororven i Beratit, ku ankohen se kryetari i fshatit është larguar me votim të fshehtë dhe po me votim të fshehtë është votuar një tjetër banor, por që jeton në Greqi.

Ish-kryetari i fshatit Krenar Shehu tregon për Fiks Fare se në datën 5 nëntor në një lokalë janë mbledhur në mënyrë të fshehtë disa banorë të cilët kanë emëruar një kryetar të ri fshati. Ish kryetari shpjegon se për këto zgjedhje nuk kanë pasur informacion dhe nuk janë lajmëruar për këto votime siç e parashikon ligji i cili thotë se “Fshati drejtohet nga kryetari dhe kryesia e fshatit. Anëtarët e kryesisë së fshatit zgjidhen nga mbledhja e fshatit, ku marrin pjesë jo më pak se gjysma e banorëve me të drejtë vote”.

Kjo mbledhje nuk është mbajtur asnjëherë sipas ish kryetarit.

“Asnjëherë nuk janë mbledhur sikur gjysma e 500 banorëve që ka ky fshat” thotë ai. Gazetarët e Fiksit pyesin edhe banorët nëse janë në dijeni për votimin e kryetarit të ri, por banorët mohojnë të kenë dijeni e jo më të kenë votuar. Ata nuk kanë asgjë me kryetarin e ri që është vendosur i cili është një djalë po i këtij fshati Ilir Shamo, që shumicën e kohës jeton në Greqi. Ata janë të irrituar me procedurën që është ndjekur për të zgjedhur atë, duke i lënë jashtë të drejtës që të votojnë për kryetarin e tyre të fshatit.

Gazetarët pyetën edhe administratori e Njësisë Administrative Velabisht Shkëlqim Hada i cili është në dijeni të votimit për kryetarin e ri të fshatit, madje ai pranon se zgjedhjet janë iniciuar nga Njësia Administrative. Faktit që banorët nuk janë njoftuar siç e kërkon edhe ligji ai shprehet se nuk mund t’i njoftonin dot 500 banorët e këtij fshati, por kjo lëvizje është bërë si rezultat i frymës së re që kryetari i bashkisë Berat do të fusë për menaxhimin e fshatrave.

Administratori shprehet se personi që është zgjedhur është një njeri me integritet dhe me shkollë të lartë “jemi të bindur se do punojë ndryshe nga ish kryetari që e mbante këtë post për 8 vite” shprehet administratori. Pyetjes së gazetarit se a është e vërtet që kryetari i ri më shumë jeton në Greqi se sa në Shqipëri, Hada u shpreh që ai shkon e vjen por me të marrë postin do zhvendoset përfundimisht në fshat. Se sa e vërtet do të jetë kjo mbetet për t’u parë.

Top Channel