“De Paul te Interi?”, Marino: Udinese nuk mund t’u rezistojë ofertave të caktuara

15/11/2019 18:54
CESENA, ITALY - APRIL 29: Pierpaolo Marino General Manager of Atalanta before the Serie A match between AC Cesena and Atalanta BC at Dino Manuzzi Stadium on April 29, 2015 in Cesena, Italy. (Photo by Giuseppe Bellini/Getty Images)

Fantazisti argjentinas Rodrigo De Paul ka përfunduar në radarët e Interit, pasi drejtuesit zikaltër duket se ia kanë premtuar Antonio Contes që në janar, në rast se skuadra do të arrijë të kualifikohet për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Mesfushori 25-vjeçar ka nisur sezonin e katërt në kampionatin italian ku numëron plot 115 ndeshje, ndërsa kohët e fundit është shndërruar titullar edhe te Argjentina, duke fituar eksperiencën e duhur ndërkombëtare.

Pikërisht për këtë arsye drejtuesit zikaltër pritet të trokasin në zyrat e Udineses në janar, për të marrë De Paul në huazim me të drejtë blerjeje për shifrën e 30 milionë eurove verën e ardhshme, formulë kjo që pëlqehet edhe nga friulianët.

Vetë Drejtori Sportiv i bardhezinjve, Pierpaolo Marino deklaroi se në janar është e vështirë të realizohen transferime të tilla, por pranoi se Udinese është një klub që nuk mund t’u rezistojë ofertave të caktuara.

“De Paul te Interi? Nuk e di. Eksperienca më thotë që në janar nuk shohim shumë operacione të tilla, por ne jemi një klub që nuk mund të refuzojmë oferta të caktuara. De Paul po bën shumë mirë, ndaj edhe nëse nuk largohet në janar, me siguri që do ta bëjë diçka të tillë verën e ardhshme”, tha Marino.

Top Channel