Denoncimi i 71-vjeçares për Fiks Fare: “Premtimin që i bëra te varri do e çoj deri në fund, do zbardh si më vdiq burri”

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së enjtes zvarritjen dhe sorollatjen që i bëjnë institucionet e drejtësisë një zonje 71-vjeçareje. Prenda Naka, prej më shumë se 5 vitesh, po “lufton” e vetme përballë zyrtarëve të policisë, prokurorisë dhe gjykatës. Ajo kërkon zbardhjen e një aksidenti, të ndodhur në verën e vitit 2014, ku humbi jetën bashkëshorti i saj. Pas shumë vitesh në dyert e gjykatave, zonja Prenda fitoi një betejë para pak muajsh në Apelin e Vlorës, që urdhëroi rihapjen e hetimeve. Por, megjithëse kanë kaluar mbi 8 muaj nga ky vendim, Prokuroria e Fierit nuk ka bërë asnjë veprim. Dhe, arsyeja qesharake e mos bërjes së veprimeve është se nuk gjejnë dot një zetor të ngjashëm me atë që ka ndodhur aksidenti.

Zonja thotë se ditën e ngjarjes, bashkëshorti i saj, po kthehej nga një fshat i Vlorës. “Ishte rritur jetim. Babai i vdiq në moshë të re, dhe e ka rritur e ëma me mundime. Ditën e ngjarjes, këtu në Sheq Marinëz, ai po udhëtonte me një motor. Këtu është përballur me një mjet bujqësor. Mua këtu më këputi jetën për pleqëri” thotë me lot në sy e moshuara. Ajo thotë se për aksidentin e ka thirrur një komshi. Në vendngjarje ka gjetur një grumbull me njerëz, por mjet bujqësor nuk kishte. “Unë këtu gjeta vetëm tim shoq të mbuluar me një rrobë. Ma zbuluan, ça të shikoja. Burri kishte dëmtime, i mbuluar me gjak. Mua më thanë ka rënë nga motorri që lëvizte burri. Mjet bujqësor nuk gjeta” thotë ajo, ndërsa tregon se nuk e lanë që ta shihte. “Nuk më lanë ta shikoja, ishte i fashosur, i ënjtur. Ishte një e funeralit, s’më la ta shihja. Në të tretat mësova që ishte aksident. Bëmë denoncim në prokurori dhe gjoja e mori prokuroria për ta hetuar” tregon ajo.

Çështja është hetuar disa herë, është gjykuar disa herë dhe sot e kësaj dite, për ironi të fatit, ende çështja është nën hetim. “U hetua gjoja dhe në janar 2015 më erdhi përgjigja që fajtor ishte bashkëshorti im. Prokurori e pushoi pjesërisht. Personi me zetor që ishte me zetor, Agron Trifoni, u dënua se nget një mjet pa patentë. Vetëm për këtë, gjoja e kap ligji, e dënuan me 6 muaj burg, por ia ktheu në punë të detyruar. Nuk e dënua për aksidentin. Nuk e provoi dot prokurori Andi Pogaçja. E kundërshtuam vendimin e prokurorisë dhe e çuam në gjykatë. Gjykata e mbylli çështjen dhe tha që ka të drejtë prokuroria. E apelova në Vlorë. Apeli mori vendim për rihetim nga e para. Rrëzon vendimin e shkallës së parë. I ka dhënë urdhër prokurorisë të hetojë nga e para se s’janë bërë hetime të rregullta. Vendimi i Apelit është marrë në mars 2019. Prokuroria deri tani s’ka bërë asnjë veprim. Më kanë ardhur shkresa që duhet bërë kjo, e ajo. Edhe me emrat e ekspertëve, me prokuror me të gjitha. Deri më sot asnjë veprim” thotë ajo.

Prej gati 8 muajsh, Prokuroria e Fierit, po mban dosjen në sirtar. Nuk ka bërë akte ekspertimi, nuk ka bërë një eksperiment, për shkak se mjeti që dyshohet se është bërë aksidenti, është zhdukur. Gjithashtu, edhe policia nuk ka gjetur një mjet të ngjashëm për të bërë këtë eksperiment hetimor. Sipas denoncueses, provat në vendngjarje janë manipuluar. “Mjekoligjori thotë të gjitha dëmtimet që i pashë me sytë e mi. Te raporti i thuhet gjak masiv, dëmtim të nofullës, dalë koka nga boshti, që s’është aksident. Në fund thotë ‘pa përjashtuar kalimin e një peshe mbi kokë’. Se merr njeri parasysh këtë gjë. I thanë që im shoq është i alkolizuar. Jam e bindur që vendi i ngjarjes është manipuluar. Im shoq kishte një shishe, se me raki, se me ujë, se me benzinë” tregon 71-vjeçarja.

Më pas thotë se shishen kur ka shkuar te vendi i ngjarjes e kishte të këmbët. “Kur unë marr dosjen, pas dy vitesh, në dosje më del që i është bërë analiza. I bëj pyetje kush ka qenë prezent nga familjarët e mi. Më thanë zakonisht këtyre shkojnë dhe i merret gjaku në morg. Asnjë nga familjarët e mi s’ka qenë. Është vetëm OPGj, Zeqir Zengjini, është shkruar vetëm mjeku Blerim Peli, as firmë, as vulë. Dhe e më e trupshmja është që e kam parë në këmbët e bashkëshortit të mi, kurse në dosje më del lart në sediljen e motorrit” shton më tej. Sipas saj, të gjitha këto prova i shqyrtoi Gjykata e Apelit dhe la detyrë për hetimin e mëtejshëm. “Prokuroria s’ka bërë asnjë veprim, jam endur dyert e atyre institucioneve dhe deri më sot asnjë gjë. Unë kërkoj drejtësi, jam betuar këtu, edhe atje te varri, që do të çoj drejtësi deri në vdekje. Në vdeksha unë, ma bëj mua hallal. Por për të marrë vesh, është marrë sesi ike. E dua fjalën nga drejtësia, smë inetreson asnjë gjë, e dua atë të vërtetën si më iku im shoq. Psë më iku këtu në rrugë. Vdekjen e pranoj, po pa drejtësi nuk e pranoj dot” thotë ajo.

Pas denoncimit dhe analizimit të provave, qytetarja interesohet në Prokurorinë e Fierit. Ditën e parë, nëna 71-vjeçare nuk lejohet të takojë prokurorin e çështjes. E gënjejnë që është në gjyq, apo ka mbledhje. Ndërkohë, tenton të takojë drejtuesen, por edhe ajo nuk e takon. Punonjëset e sportelit, të mërzitura nga njerëzit që interesohen për çështje, thonë se “jeni mbledhur si qentë e tërbuar”. Pas një pritje prej dy orësh, ajo largohet. Të nesërmen shkon sërish në Prokurorinë e Fierit.

Kësaj herë, 71- vjeçarja kërcënon se do futet në grevë dhe menjëherë, punonjëset lajmërojnë drejtuesen e prokurorisë, që më në fund e pret në zyrë. Drejtuesja i thotë që nuk lejohet të takohesh me prokurorin e çështjes dhe vetëm ajo mund ta presë. Më pas i pohon se shkak për mos bërjen e eksperimentit është se nuk gjendet një mjet bujqësor. “Kam folur me një shef policie dhe më ka thënë që edhe sot mund të bëhet. Hetimi do vazhdojë sipas vendimit të gjykatës. Do ta bëjmë me urgjencë, madje edhe sot” i thotë drejtuesja. Më tej shton se ka folur me prokurorin e çështjes dhe ai i ka thënë se nuk po gjejnë dot një mjet bujqësor. “Kam folur me shefat e tjerë dhe do ta gjejmë mjetin që duhet”, i përsërit disa herë. Më pas, kryeprokurorja e Fierit komunikon në telefon me një oficer policie, i cili i thotë se ka gjetur një mjet të ngjashëm në Lushnje. “Veprimi do të kryhet kam folur me shefin, kjo do bëhet. Maksimumi, të hënën” i tha kryeprokurorja në datën 1 nëntor qytetares.

Ndërkohë, dy javë më pas, “Fiks Fare” komunikon sërish me denoncuesen. “Eksperimenti nuk është bërë. Më gënjejnë ende” thotë ajo, duke bërë sërish një premtim: “Unë këtë e kam marrë përsipër vetë. Atij premtimi që i kam bërë atij gjaku këtu, pasi ka lënë të gjithë gjakun këtu. Do t’i shkoj deri në vdekje”.

 

 

 

 

FOTO GALERI
1/6

Top Channel