Në ditën botërore të diabetit, Kosova bën bilancin. Sipas ekspertëve, gjatë këtij viti në Kosovë janë evidentuar 38 raste, nën moshën 18 vjeçare, të prekur nga diabeti dhe në total, mbi 13 mijë kosovarë janë prekur nga kjo sëmundje.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike, Naser Ramadani u shpreh se autoritetet po synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë për rreziqet e sëmundjes.

“Të dhënat e raportuara faktikisht në kujdesin primar shëndetësor për vitin 2018 të pacientëve me diabet të varur nga insulina janë gjithsej 13 mijë e 357 raste, ku prevalenca më e lartë është e gjinisë femërore prej 57.4 për qind”, shprehet ai.

Sipas zyrtarëve të ministrisë së shëndetësisë, kjo e fundit ofron pesë lloj insulinash falas për diabetikët dhe se në klinikën e endokrinologjisë, cdo vit mund të trajtohen rreth 800 pacientë.

Naim Bardiqi, sekretar i përgjithshëm në ministri tha se 5 deri në 7 për qind e popullatës në Kosovë, janë prekur nga diabeti.

“Në Kosovë konsiderohen diku 5-7 për qind e popullatës janë me prevalencë të sëmundjes ku 20 deri në 30 për qind prej tyre janë të varur nga insulina, e cila u ofrohet falas nga Ministria e Shëndetësisë. Regjistri i pacientëve insulinë vartës i Ministrisë së Shëndetësisë është 13 mijë e 357″, ka thënë Bardiqi.

Vetë mjekët thonë se diabeti ka shënuar rritje nga viti në vit ndaj edhe mbetet një sfidë e madhe. Sidoqoftë, edhe pse pacientët me diabet në Kosovë furnizohen falas me insulinë, ata janë të detyruar të shpenzojnë jo pak për blerjen e aparateve dhe fishave për matjen e glicemisë. Dita botërore e diabetit në Kosovë është shënuar me një seri aktivitetesh.

Top Channel