Në orën e fiskulturës në shkollën e mesme “Myslym Shima” në Yzberisht, për shkak të reshjeve këtë të mërkurë nuk u bë mësim por mësuesja në një strehëz bisedonte me nxënësit e përballë saj, një grup tjetër i klasës tymoste duhan.

Gazetarja Kristi Gongo: Ne jemi nga Top Channel. Brenda oborrit të shkollës janë disa nxënës nën moshën 18 vjeç që po pinë cigare. Çfarë masash po merrni ju për këtë?

Mësuesja nuk iu përgjigj gazetares, por shkoi drejt nxënësve duke iu drejtuar: “Bravo ju qoftë, bravo”.

Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit i ndalon shitjen e cigareve personave nën moshën 18 vjeç. Si dhe përcakton se të gjitha pikat e shitjes  duhet të pajisen me tabelë të dukshme dhe të lexueshme, ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit personave nën 18 vjeç ”.

Nxënësi 16 vjeçar në bashkëpunim me Top Channel, shkoi pranë një kioske në afërsi me shkollën e tij dhe bleu lehtësisht një paketë cigare, pavarësisht se është nën moshën 18 vjeç.

Nxënësi: S’kishte shënime +18 merret paketa, as nuk më tha asgjë… ça moshe ke dhe thjesht ma dha paketën dhe lekët më ktheu kusurin.

-Kjo ndodh në të gjitha pikat e shitjes?

Po, në të gjitha”

-Në shkollën tuaj konsumohet duhan?

Po, jashtë hekurave…

Në gjimnazin “Myslym Keta” në Kombinat, oficerja e sigurisë Vilmona Kosova, tregon se shitës ambulantë përpara shkollës nuk ka më, megjithatë janë disa pika shitjeje përreth, që sipas saj janë të kontrolluara. Por siç u pa edhe nga pamjet e siguruara nga Top Channel  ndodh krejt e kundërta. Edhe pse në kundërshtim me ligjin, shitësit u ofrojnë nxënësve duhan. Madje jashtë kamerave, ata tregojnë se i marrin cigarette dhe të hapura, me copë.

“Ne jemi për parandalimin e çdo konflikti, problemi që mund të ndodh brenda ambjenteve të shkollës, pirjes së duhanit, drogës apo bullizmit. Dhe nëse shoh një rast të tillë raportoj në specialistin e zonës dhe merren masa pastaj normalisht, merret Policia e shtetit me këtë”, thotë Vilmona Kosova.

Kristi Gongo

Top Channel