Marsida Xhaferllari është anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, dekretuar nga presidenti Ilir Meta pasditen e të mërkurës. Ky është dekretimi i dytë që mban firmën e presidentit Meta, pas atij për Besnik Muçin.

Sipas Kushtetutës, tre nga anëtarët e Gjykatës më të rëndësishme në vend i zgjedh kreu shtetit, nga lista e dërguar prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Presidenti nuk e ushtroi të drejtën kushtetuese për të dekretuar kandidaten e dytë, e për pasojë, sipas mekanizmit zhbllokues, automatikisht u zgjodh Arta Vorpsi. Presidenti nuk e zgjodhi kandidaturën e dytë pasi, përmes një letre dërguar KED, kërkonte respektimin e radhës nga Kuvendi, që do të thotë se pasi zgjodhi Besnik Muçin, Kuvendi duhet të votonte kandidatin tjetër në radhë.

Por mazhoranca e quajti të padrejtë madje edhe hileqare këtë kërkesë të Presidentit dhe të henën me 105 vota votoi zonjat Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

Preferencën e Presidentit për të çuar në Gjykatën Kushtetuese Marsida Xhaferllari, e paralajmëroi këtë të hënë, nga salla e Kuvendit numri dy i PS-së, Taulant Balla.

Për të mbërritur deri tek dekretimi nga Presidenti, Marsida Xhaferllari  duhet të kalonte në filtrat e procesit të vetting-ut por kryesuesja e këtij procesi, Firdes Shuli deklaroi se “trupa gjykuese me shumicë votash vendosi të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit Marsida Xhaferllari, pa një vendim përfundimtar për çështjen, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë e pamundur”.

Sipas vendimit të shpallur nga  Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Xhaferllari kishte humbur statusin e magjistratit dhe për rrjedhojë nuk mund të vendosej për të njësoj si për subjektet e tjera.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) kishte ngritur disa çështje sa i përket kriterit të profesionalizmit, përfshi edhe dyshimet nëse Xhaferllari kishte apo jo statusin e magjistratit.

Megjithatë të tilla problematika të gjetura për zonjën Xhaferllari nga (ONM) nuk ndikuan në vendimin e Presidentit për ta çuar atë në Gjykatën Kushtetuese, e cila tashme ka 6 antarë, gjë e cila e lejon të nisë nga puna.

Por për të qenë një gjykatë me trupë të plotë prej 9 anëtarësh, duhen edhe tre gjtyqtarë të tjerë që takon të zgjidhen nga Gjykata e Lartë, e cila nuk është ende funksionale.

Muhamed Veliu

Top Channel