“Friends” do rikthehen? Aktorët e serialit të njohur po diskutojnë mbi projektin e ri

13/11/2019 19:51

Të gjashtë aktorët e “Friends”, janë duke biseduar për një episod rikthimi, ende pa skenar, sipas raporteve të mediave amerikane. Hollywood Reporter dhe Variety, pretendojnë se programi special do të transmetohet në sajtin e ri të streamingut HBO Max. Sidoqoftë, nuk bëhet fjalë për një rikthim të plotë të komedisë së famshme që zgjati nga viti 1994 deri në 2004.

HBO Max, ka siguruar të drejtat për 10 sezonet e Friends, për shumën e 425 mijë dollarëve, për shërbimin e tij, që do të lancohet në prill 2020. Seria do të zhvendoset kështu nga Netflix, ku u duk se mori frymë sërish pasi u pëlqye nga audiencat më të reja, duke u klasifikuar si shou i dytë më i ndjekur në 2018.

Jennifer Aniston, që luan Rejcëllin në shou, së fundmi ka postuar në Instagram një selfie, bashkë me aktorët e tjerë të friends, dhe si pasojë, shënoi 5 milionë ndjekës në vetëm 12 orë. Më pas, ajo u tregua enigmatike në një emision televiziv të Ellen deGeneres, ku tha vetëm se po punon mbi diçka. Edhe pse aktorët e kastit kanë punuar në projekte të ndryshme, të gjashtë së bashku nuk janë shfaqur në publik që kur seriali përfundoi. HBO Max ndërkohë nuk ka bërë ende komente për raportet e mediave amerikane.

Top Channel