Në orën 5 të mëngjesit unaza e re u rrethua nga qindra forca policore. Do niste kështu aksioni për shkatërrimin e ndërtimeve që pengojnë projektin e “Unazës së Re”.

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte shënjuar për shembjen e 33 objekteve në zonën e astriti që i përkasin lotit të parë të projektit të unazës së madhe.

Por aksioni nisi me përplasje mes banorëve që ishin ngujuar gjatë natës në një lokal dhe forcave të policisë. Nga bombat molotov, gurët shkopinjtë edhe gazi lotsjellës 12 persona u lënduam, shtatë banorë dhe pesë policë.

Ky sulm, e detyroi policinë që të përdortë gaz lotsjellës ndaj banorëve të Astirit. Burime nga policia bënë me dije për Top Channel se lidhur me këtë përplasje, u shoqëruan rreth 15 persona.

Por përplasja me banorët,nuk e pengoi Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit të vazhdojnë aksionin për shembjen e godinave. E gjithë zona e shtëpive të para që u prekën nga projekti i Unazës së Madhe, u sigurua me forca të shumta policie. Në këtë perimetër sigurie që niste nga Rrethrrotullimi i Sheshit Shqiponja dhe deri në urën e Lanës, nuk u lejua të hynte askush. As banorët e zonës, por as edhe qytetarët të cilët donin të përdornin rrugën për kalim.

Megjithatë një pjesë tjetër u detyruan të zgjidhnin rrugë alternative.

Në mbështetje të banorëve të zonës, u paraqitën edhe ish deputetë dhe mbështetës të partisë demokratike.

Lidhur me këtë aksion të IKMT-së, policia rrugore njoftoi se kishte bllokuar të gjithë rrugën Teodor Keko, por kjo shkaktoi një trafik të rënduar në të gjithë pjesën tjetër të qytetit të Tiranës.
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka njoftuar se do të vazhdojë aksionin për shembjen e 33 shtëpive që i përkasin lotit të parë, për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe.

Andi Bora

Top Channel