Jetësohet kërcënimi/ Turqia kthen xhihadistët në Evropë

12/11/2019 01:18

Ashtu siç kishte kërcënuar, Turqia ka filluar kthimin e xhihadistëve në Evropë. Bëhet fjalë për tetë gjermanë, dy irlandezë, 11 francezë dhe një danez, simpatizantë apo luftëtarë të ISIS.

Ndërkohë që është dëbuar tashmë një luftëtar i Shtetit Islamik, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte ministri i Brendshëm turk, Sulejman Sojlu ai që i paralajmëroi dëbimet, ditë më parë.

“Nuk jemi hotel për askënd”, tha javën e kaluar Soylu.

Sipas presidentit turk, Erdogan në burgjet turke ndodhen 1140 përkrahës të ISIS-it. Prej tyre 737 janë qytetarë të huaj. Zyrtarë të presidencës thanë se Turqia është e vendosur ti kthejë ata në vendet e origjinës.

Më 9 tetor Turqia filloi ofensivën kundër forcave kurde të YPG-së në Siri, që ky vend e konsideron si organizatë terroriste. Gjatë ofensivës ushtarake turke, sipas të dhënave të Ankarasë, janë arrestuar 287 përkrahës të ISIS-it, mes tyre gra dhë fëmijë.

Qeveria turke ka kritikuar disa shtete europiane ia kanë hequr nënshtetësinë të dyshuarve të ISIS-it. Kjo është “e papranueshme dhe e papërgjegjshme”, ka thënë ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu.

Top Channel